48 orë burg për kryetarin e Gjykatës së Apelit, Salih Mekaj

Kryetarit të Gjykatës së Apelit, Salih Mekajt i është caktuar nga prokuroria masa e ndalimit prej 48 orësh për shkak të dyshimit të bazuar se kryetari Mekaj ka kryer veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” , nga neni 422 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe veprës penale: “Ushtrimi i ndikimit”, nga neni 431 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur Prokuroria Speciale e Kosovës përmes një njoftimi për media. Indeksonline mbrëmë ka raportuar për arrestimin e Salih Mekajt i cili ishte kapur në flagrancë.
Së bashku me të ishte arrestuar edhe një femër ku sipas njoftimit të prokurorisë e dyshuara është V.G për të cilën ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale” “Dhënia e ryshfetit”, nga neni 429 paragrafi 3, lidhur me nenin 31 “Bashkëkryerja”, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Lidhur me këtë rast prokurorja e rastit nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka marrë aktvendim për fillim të hetimit./Indeksonline/