380 vende të lira në të gjitha çerdhet publike të Prishtinës

Autori:Avdyl Pajaziti

Drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, Arbërie Nagavci vizitoi institucionin parashkollor “Buzëqeshja” për të parë nga afër procesin e regjistrimit për vitin 2015 – 2016.

Konkursi do të jetë i hapur deri me datë 30 qershor, ndërsa me datë 7 korrik do të publikohen rezultatet.

“Për të lehtësuar procedurën e regjistrimit të fëmijëve pasi që nuk është e lehtë për shkak të kërkesave të shumta, prej vitit të kaluar Drejtoria e Arsimit ka përcaktuar kriteret në mënyrë që të lehtësohet ky proces.”

“Deri më tani janë të hapura 380 vende të lira në të gjitha çerdhet publike të Prishtinës, 110 vende më shumë në krahasim me vitin e kaluar. Kriteret janë të definuara me pikë, në secilën kategori ku përfshihen fëmijët me nevoja të veçanta, fëmijët bonjakë, kategori të caktuara kur punojnë të dy prindërit si dhe kategori të tjera specifike.”

“Pastaj ka disa pikë edhe për banorët e lagjes. Që të gjitha kriteret janë publike në secilin institucion e gjithashtu janë të publikuara edhe në uebfaqen zyrtare të Komunës së Prishtinës”, tha Nagavci.

Në secilin institucion parashkollor janë vendosur në vende të dukshme konkurset dhe kriteret për regjistrimin e fëmijëve.

Në fund të këtij procesi, rezultatet do të shpallen për të gjithë fëmijët, si për ata që do të përzgjidhen, por edhe për ata që nuk do të kenë mundësi të pranohen për shkak të numrit të kufizuar. Procedura do të jetë plotësisht transparente dhe pikët do të jenë në përputhje me kriteret e kërkuara.

Po ashtu, në komisionet që do të bëjnë vlerësimin e dokumenteve në raport me kriteret e përcaktuara, pos anëtarëve nga Drejtoria e Arsimit dhe nga stafi i çerdhes, pjesë e komisionit do të jenë edhe përfaqësues të prindërve si dhe do të ftojmë edhe anëtar nga shoqëria civile nga fusha e arsimit.

Drejtoresha Nagavci bëri të ditur se për shkak të kërkesave të mëdha, së shpejti do të fillojnë të funksionojnë edhe çerdhet e reja.

“Para muajit shtator do të fillojë punën edhe çerdhja e parë me bazë në komunitet, në lagjen Mati e cila do të jetë në dispozicion për fëmijët që jetojnë në lagjet “Mati 1” dhe “Mati 2”.

Po ashtu, do të fillojnë të ndërtohen edhe dy çerdhe të reja në “Arbëri”, në “Mat” dhe po ashtu është në përfundim e sipër procesi i inventarizimit të dy çerdheve të tjera me bazë në komunitet, në “Hajvali” dhe “Besi”.

Të gjitha këto, besojë se këtë vit do të zbusin pak kërkesën e madhe për regjistrim të fëmijëve, ndërsa gjatë vitit të ardhshëm do të ndërtohen kapacitete për pranimin e një numri edhe më të madh”, tha Nagavci.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/380-vende-te-lira-ne-te-gjitha-cerdhet-publike-te-prishtines/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala