337 milionë euro investime të huaja për Kosovën

Autori:Zekirja Shabani

Zvicra, Turqia e Shqipëria janë shtetet që më së shumti kanë investuar në Kosovë vitin e kaluar. Bashkë me vendet tjera në vitin 2015, ato kanë derdhur në shtetin më të ri në Evropë mbi 337 milionë euro.

Këto para kanë shkuar kryesisht për blerje të patundshmërive, shërbime financiare e ndërtim, shkruan Gazeta Fjala.

Të dhënat e Ministrisë së Tregtisë për Investimet e Huaja Direkte, tregojnë se më së paku vjet janë interesuar dhe kanë investuar në Kosovë biznesmenët nga Italia.

Të dhënat nga kjo Ministri tregojnë se 70.05 milionë euro janë investimet që Zvicra ka bërë në Kosovë. Turqia është shteti i dytë investues me 69.4 milionë euro ndërsa Shqipëria ka investuar gjithsej 40.7 milionë euro.

Pas saj Mbretëria e Bashkuar i bashkohet listës së investitorëve me 35.2, milionë euro, Austria me 33.5 milionë euro, Gjermania 32.8 milionë euro, SHBA 25.1 milionë euro, ndërsa 5.7 milionë euro i ka investuar Italia.

Më shumë para shkojnë në patundshmëri

Sipas aktiviteteve të ndara ekonomike, më së shumti para del të ken shkuar në patundshmëri, qiradhënie dhe aktivitete tjera biznesore, gjithsejtë 189.6 milionë euro. Ndërkaq, 64.3 milionë euro janë investuar në shërbime financiare, derisa 57.6 milionë euro janë investuar në sektorin e ndërtimit.

Në industri, sipas të dhënave të IHD-ve, investime ka pasur në vlerë 22.4 milionë euro. Në shërbime tregtare janë investuar 16 milionë euro, përderisa në energjetikë 11 milionë euro, shkruan Gazeta Fjala.

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, i sheh si inkurajuese shifrat me të cilat shtetet përendimore kanë investuar në Kosovë, gjatë vitit 2015, duke pas parasysh krizën financiare me të cilën janë përballur gjatë vitit 2008.

“Viti 2015, rezulton të jetë më i suksesshëm në tërheqjen e IHD-ve. Këto vitet e fundit dhe ky trend është inkurajues veçanërisht duke konsideruar ngecjet globale në rrjedhën e IHD-ve që nga fillimi i krizës financiare në vitin 2008”, thonë zyrtarët për informim në MTI për Gazetën Fjala.

Sipas tyre, me tejkalimin e kësaj krize dhe hyrjën në efekt të reformave ekonomike, investimet e huaja direkte në Kosovë do të rriten.

“Me tejkalimin e kësaj krize dhe hyrjen në efekt të plotë të reformave fiskale dhe ekonomike tona si: pakoja e re fiskale dhe draftligji për investime strategjike, presim të kemi rritje të IHD-vë në Kosovë vitet në vijim”./Gazeta Fjala/
(Fitnete Rrahimi)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/337-milione-euro-investime-te-huaja-per-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala