Nisin hetimet pë gjysmë milioni fajde

Autori:Avdyl Pajaziti

Shuma prej 437 mijë e 790 euro dyshohet se i është vënë si fajde Artan Shalës nga katër pronarë biznesesh në Prishtinë.

Afrim Borovci, pronar i restorantit “Baron”, Adem Grashtica, punues i dyerve dhe dritareve, Artan Sejdiu, bashkëpronar i kafenesë “House Pub”, si dhe pronari i kompanisë “Hertica”, Gëzim Alija, janë të dyshuarit, shkruan sot Koha Ditore.

Që të katërt ishin denoncuar në Polici në qershor të këtij viti nga Artan Shala, që njihet si shitës i vajrave motorikë.

Për më tepër Shala kishte deklaruar se ka pasur edhe kërcënime me jetë, siç i ka quajtur ai, nga “grupi i fajdexhinjve”.

Nën këto dyshime, Prokurorja e krimeve të rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Fikrije Fejzullahu më 15 tetor të këtij viti mori vendim për hetimin e katër të dyshuarve për fajde. Por, përveç dyshimeve për vënien e gati gjysmë milioni euro fajde ajo i vuri nën llupë këta pronarë biznesesh edhe për shmangie tatimi, megjithëse nuk precizon ndonjë shumë për të cilën dyshohet se shmangën ata. Të gjitha lokalet tashmë janë mbyllur nga Policia.

Tre nga të dyshuarit, Afrim Borovci, Adem Grashtica dhe Gëzim Alija janë vënë me vendim të gjykatës në arrest shtëpiak. Në arrati gjendet akoma Artan Sejdiu, i cili dyshohet se po fshihet në Amerikë, atje ku mendohet se u fsheh edhe denoncuesi i tij, Artan Shala, nga frika.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/32239-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala