313 mijë euro, për dreka zyrtare

Autori:Avdyl Pajaziti

Instituti për Studime të Avancuar “GAP”, ka publikuar vlerën e shpenzimeve të ministrive të Qeverisë së Kosovës, për vitin 2014. Sipas GAP, vlera e shpenzuar për vitin 2014 për dreka zyrtare nga 17 ministri, arrin në 312 mijë e 957 euro.

Sipas të dhënave të këtij instituti, shpenzimet e Qeverisë për këto nevoja, shënonjë një rekord të ri që nga viti 2011.

GAP, në publikimin e saj vlerëson se duke marrë parasysh që gjatë vitit 2014 për 6 muaj vendi ishte në krizë institucionale dhe si rrjedhojë aktivitetet e ministrive ishin të reduktuara, shpenzimet për dreka zyrtare janë bërë në kundërshtim me Udhëzimin Administrativ.

Më dorëliri për dreka zyrtare, sipas të dhënave të këtij publikim, del të ketë qenë ish-ministri i MFSK-së, Agim Çeku.

Publikimi i plotë nga GAP:

Deri më tani, institucionet publike dhe raportet periodike të Ministrisë së Financave nuk i deklarojnë këto shpenzime. Shpenzimet e reprezentacionit në të shumtën e rasteve përfshihen në kuadër të kategorisë së shpenzimeve për “Mallra dhe Shërbime”.

Me qëllim të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies në shpenzimin e parasë publike, nga viti 2011 Instituti GAP rregullisht kërkon të dhëna nga të gjitha ministritë për kategorinë e shpenzimeve për dreka zyrtare. Këto të dhëna i kërkojmë sipas Udhëzimit Administrativ të cekur më lartë, si dhe me emrat e personave përgjegjës për kryerjen e atyre shpenzimeve.

Në kërkesën e dërguar nga GAP për shpenzimet e reprezentacionit për vitin 2014, nuk kanë pranuar të japin përgjigje Zyra e Kryeministrit, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Jashtme.

Nga 17 ministritë që kanë pranuar të përgjigjen në kërkesën tonë, disa nga to kanë deklaruar se shpenzimet e reprezentacionit të ministrisë janë faturuar në emër të ministrit, e jo në llogari të ministrisë. Ministritë që kanë deklaruar një gjë të tillë janë Ministria e Administratës Publike, Ministria e Bujqësisë dhe Ministria e Kulturës. Kjo formë e mbajtjes së financave nga ana e disa ministrive nuk është konform Udhëzimit Administrativ dhe rregullave të menaxhimit të financave publike.

Nga të dhënat e 17 ministrive të cilat kanë pranuar ti përgjigjen kërkesës së GAP, del se në total më 2014 janë shpenzuar 312 mijë e 957 euro për dreka zyrtare. Kjo është shifra më e lartë e regjistruar për dreka zyrtare, prej kohës kur kemi filluar mbledhjen e këtyre të dhënave.

Duke marr parasysh se 2014 ka qenë vit zgjedhor dhe kur dihet se për rreth gjashtë muaj kemi pasur ngërç institucional, e rrjedhimisht aktivitet më të ulët politik nga ana e ministrave e zëvendësministrave në largim, të dhënat e shpenzimeve për dreka zyrtare tregojnë se shpenzimet për këtë kategori nuk janë bërë konform Udhëzimit Administrativ.

Më 2014, Kabineti i Ministrisë së Ministria e Integrimeve Evropiane ka shpenzuar më së shumti, apo 32, mijë e 285 euro e 79 cent. Pas saj radhitet Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal me 29,021.50 euro, Ministria e Infrastrukturës me 24,511.04 euro, etj.

Ministri i cili ka shpenzuar më së shumti për dreka zyrtare është ish- ministri i Ministrisë së Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (MFSK) z. Agim Çeku. Ai gjatë vitit 2014 ka shpenzuar 21,902 euro. Pas tij radhiten ish ministri i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) z. Slobodan Petrovic me 17,789 euro dhe ish-ministrja e Ministrisë së Integrimeve Evropiane znj.Vlora Çitaku, që vetëm për gjysmë viti ka shpenzuara 15,567 euro për dreka zyrtare. Ministrat e lartë cekur kanë tejkaluar shumëfish kufizimin mujorë prej 500 euro, bashkë me ta edhe pesë ministra të tjerë.

Kurse në rangun e zëvendësministrave, është ish- zv.ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë z. Avni Kastrati ai i cili e mban vendin e parë me shpenzimet për dreka zyrtare. Gjatë 2014 ai ka shpenzuar 3,269 euro. Pas tij radhitet ish-zv.ministri i Ministrisë së Punëve të Brendshme z. Sasha Rashiq  me 2,530.9euro, ish-zv.ministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë z. Cuneyd Ustaibo me 2,450 euro.

Në radhën e këshilltarëve politik, vetëm këshilltarja e Ministrisë së Diasporës znj.Ardita Kika ka tejkaluar shpenzimet për dreka zyrtare me 1,221 euro.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/313-mije-euro-per-dreka-zyrtare/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala