300 mijë euro për një post

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 100 deri në 300 mijë euro dyshohet se paguajnë gjyqtarët dhe prokurorët në Shqipëri për t’u emëruar në poste të lakmuara.

Në raportin “Analiza e Sistemit të Drejtësisë” që do të prezantohet pasditen e së hënës, grupi i ekspertëve pranë Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi argumenton se cikli i korrupsionit në sistemin e drejtësisë fillon me oficerët e policisë gjyqësore dhe vazhdon me prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar.

Raporti konstaton gjithashtu se oficerët e policisë gjyqësore pranojnë ryshfet për të prishur provat në vendin e ngjarjes, prokurorët për të mos filluar një çështje penale, ndërsa gjyqtarët zvarrisin caktimin e seancës së parë ose kushtëzojnë vendimin përfundimtar në pritje të ryshfetit.

Raporti voluminoz i grupit të ekspertëve të nivelit të lartë thekson se situata e korrupsionit në sistemin e drejtësisë nuk është e dokumentuar, megjithatë perceptimi i publikut dhe i vëzhguesve pranë sistemit sugjeron për ekzistencën e formave të ndryshme të përfitimeve të paligjshme.

“Në çdo rast, palët në transaksionin korruptiv shmangin telefonatat. Pagesat bëhen me para në dorë. Shpesh përfitimet e paligjshme dërgohen jashtë vendit ose iu jepen të afërmve/familjarëve të gjyqtarit/prokurorit, ose personave të tretë të besuar,” thuhet në raport.

Komisioni i Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë u ngrit më 27 nëntor 2014 dhe drejtohet nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Me ndihmën e grupit të ekspertëve, ky Komision pritet të hartojë reformën e shumëpërfolur për sistemin e drejtësisë.

“Analiza e Sistemit të Drejtësisë në Shqipëri” shenjon defektet aktuale të sistemit kompleks dhe thekson nevojën për reformë në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe institucionin e Prokurorisë.

Raporti sugjeron depolitizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe zgjedhjen e anëtarëve të saj me shumicë të cilësuar në Kuvend, raporton Reporter.al. Përbërja e këtij Këshilli duhet të reflektojë mazhorancë nga gjyqësori, ndërsa nuk konsiderohet normale mbajtja e rolit drejtues në këtë Këshill nga Presidenti i Republikës.

Grupi i ekspertëve ka analizuar edhe rolin e Presidentit të Republikës në ushtrimin e funksioneve të tij në sistemin e drejtësisë, ndërsa thekson se zgjedhja e tij jashtë konsensusit politik nuk garanton pavarësinë.

Integrimi i Gjykatës së Lartë brenda sistemit gjyqësor konsiderohet gjithashtu një hap i rëndësishëm. “Statusi i Gjykatës së Lartë dhe pocesi i emërimit të anëtarëve të saj mbeten shqetësues në kuptimin e politizimit të mundshëm,” thuhet në raport.

Grupi i ekspertëve pranë Komisionit Parlamentar thekson gjithashtu një shikim të formulës së zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Në raportet e Komisionit të Venecias theksohet nevoja për pavarësinë e Prokurorisë nga ndikimi politik dhe nevoja për transparencë e këtij institucioni.

“Është e rëndësishme që Prokurori i Përgjithshëm të mos rizgjidhet nga legjislativi apo ekzekutivi,” thuhet në raport.

Reforma në drejtësi është një ndër kushtet e Komisionit Europian për integrimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Për shkak të rëndësisë dhe shtrirjes në kohë, zyrtarët e Brukselit kanë bërë thirrje që kjo reformë të realizohet me konsensusin më të gjerë të mundshëm.

Megjithatë, Partia Demokratike ka refuzuar pjesëmarrjen në Komisionin e Posaçëm Parlamentar, pasi kërkon një numër të barabartë anëtarësh dhe bashkëdrejtues në këtë komision. Këto kërkesa nuk kanë marrë ende një përgjigje nga mazhoranca e majtë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/300-mije-euro-per-nje-post/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala