3 milionë euro për renovimin e stadiumit të Prishtinës

Rreth 3 milionë euro do të investohen në stadiumin e qytetit të Prishtinës, pas nënshkrimit të memorandumi të bashkëpunimit midis Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala tha se ky projekt do të fillojë sivjet dhe do të zhvillohet në dy faza. Ai bëri të ditur se ministria do të mbulojë 75% të investimit, ndërsa Komuna e Prishtinës, 25%.
“Faza e parë e cila do të fillojë sivjet ne llogarisim që maksimalisht të kushtojë rreth 1 milion e 700 mijë euro dhe më pastaj është pjesa tjetër rreth 1 milion e 300 mijë euro. Unë besojë se kjo është një praktikë e mirë që të konkretizojmë bashkëpunimin që kemi me Komunën e Prishtinës, të cilën e kemi zhvilluar gjatë këtyre muajve”, deklaroi ministri Shala pas një takimi me kryetarin e komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti .
“Është përfolur shpeshherë për rëndësinë e investimit në stadiumin e qytetit. Është e rëndësishme që të kemi një stadium që i plotëson të gjitha kriteret para pranimit të futbollit në mekanizmat ndërkombëtar, duke u rinovuar në tërësi infrastruktura e këtij stadiumi si dhe ndërtimi i shtegut të atletikës”, tha kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti.
Gjithashtu, kryetari Ahmeti dhe ministri Shala thanë se do të bashkëpunojnë edhe në projekte të tjera të rëndësishme kulturore dhe sportive, siç është “Teatri i Operës dhe Baletit”, “Salla Universale”, “Pishina Olimpike”, etj./ GazetaFjala