Filloi shpërndarja e shujtave në shkollat fillore të Prishtinës

Autori:Avdyl Pajaziti

Rreth 20 mijë nxënës të klasave I – V do të marrin kiflet, që kanë nisur të shpërndahen në 43 shkolla fillore të Komunës së Prishtinës.

Shujtat sivjet do të jenë më cilësore, të ambalazhuara, ndërsa së shpejti do të fillojë të shpërndahet edhe qumështi për nxënës, thuhet në komunikatën e komunës së Prishtinës.

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe drejtoresha e Drejtorisë së Arsimit, Arbërie Nagavci vizituan shkollën “Naim Frashëri” për t’u informuar nga afër lidhur me realizmin e këtij projekti.

“Jemi duke i shikuar mundësitë që ta zgjerojmë projektin e shujtave gjatë vitit të ardhshëm për të gjitha klasat. Sivjet së shpejti do të fillojmë edhe me shpërndarjen e qumështit, 250 ml, me kalcium të shtuar që është i domosdoshëm për rritjen e shëndetshme të fëmijëve. Sivjet është përmirësuar cilësia e kifleve dhe është kërkuar që të jenë të ambalazhuara për arsye higjienike. Kiflet do të jenë të mbyllura në mënyrë hermetike nga fabrika e cila i prodhon”, tha Ahmeti.

Përfitues të shujtave do të jenë edhe nxënësit e tri shkollave që janë përzgjedhur për mësimin tërëditor.

Projekti i shujtave mundësohet nga buxheti i kursyer i Komunës së Prishtinës nga shpenzimet e panevojshme.

Fitues është shpallur OE “Premium Bakery”. Çmimi i shujtës javore është 0.78 €. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/27266-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala