Isa Mustafa: Nuk kthehet asnjë marrëveshje në pikën zero

Autori:Avdyl Pajaziti

Kryeministri Isa Mustafa thotë se zgjidhja e vetme për situatën e krijuar së fundmi është dialogu.

Ai i ofron dialog opozitës, si një formulë e vetme për rrugëdalje nga situata e krijuar.

“Mendoj se formula e vetme është që të jetë një dialog i hapur, që askush të mos e kushtëzojë dialogun”, thotë Mustafa.

Ai në emisionin “Debat”, tha se nuk ka kthim në pikën zero asnjë marrëveshje.

“Nuk kthehet në pikën zero marrëveshja e vitit 2013 ngaqë është votuar me 2/3 e votave dhe kjo nuk kthehet. Kjo nuk është marrëveshje e re, por është derivim i asaj marrëveshje”, tha Mustafa.

Kryeministri tha se ka pasë paralajmërime nga opozita veçmas nga Vetëvendosja për veprime të tilla por që ka menduar se do të respektohet institucioni i Kuvendit të Kosovës, ku duhet reflektuar kulturë dhe sjellje, transmeton Indeksonline.

“Unë kam pasë të informoj qytetarët dhe kuvendarët për marrëveshjet e Brukselit por ata ma pamundësuan”, tha Mustafa.

Ai tha se nuk e ka shumë të qartë se pse ka ndodhë kjo sot.

“Me ngulm herën e kaluar më kanë thirrë të informoj, kurse sot me ngulm na ka kundërshtuar për të informuar”, tha Mustafa duke shtuar se e gjitha kjo nuk ka të bëj me marrëveshjet.

Mustafa tha se nuk kanë dhënë asnjë arsye për sjelljet e opozitës, sepse Asociacioni është dialoguar në vitin 2013 ku Kuvendi e ka votuar marrëveshjen dhe planin e aksionar për implementimin e marrëveshjeve të mëtutjeshme, e aty bëhej fjalë për këtë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne i jemi përmbajtur ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës “, shtoi Mustafa.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/26418-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala