Alpet 86 mijë hektarë, nën mbrojtjen e Shqipërisë dhe Kosovës (Foto)

Autori:Gazeta Fjala

Parku Kombëtar i Alpeve do të jetë parku më i madh në Shqipëri dhe në Ballkan, me një sipërfaqe që shkon në 86 mijë hektarë. Parku do të shtrihet nga Vermoshi në Valbonë dhe do të përfshijë Parkun Kombëtar të Thethit dhe atë të Luginës së Valbonës. Në këtë projekt janë angazhuar edhe Kosova dhe Mal i Zi, me synimin për ta kthyer në të ardhmen në një park ndërkombëtar ku të vijnë vizitorë nga të gjithë anët e botës.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM), Zamir Dedej tha gjatë një interviste për Kosovapress se Agjencia që ai drejton synon zgjerimin e kësaj zone, nga Vermoshi deri në Valbonë.

Parku Kombëtar i Alpeve do të ketë një sipërfaqe të propozuar prej 86 mijë ha dhe do të jetë më i madhi në vend. Sipërfaqja aktuale e zonave të mbrojtura në vend është 16% e territorit të Shqipërisë, por AZMK veç menaxhimin dhe mbrojtjes së këtyre zonave ka si qëllim edhe zgjerimin e tyre, ndaj dhe ka nisur të marrë jetë ky projekt.

“Ka filluar një përpjekje që nga viti 2014 falë edhe mbështetjes së donatorëve të huaj, kryesisht Agjencisë Gjermane GIZ, për të filluar një proces të zgjerimit të zonave aktuale të mbrojtura që kemi ne në territor. Ne aty kemi Parkun Kombëtar Theth, Parkun Kombëtar Valbonë,dhe zonën strikte të mbrojtur të lumit Gash. Janë 3 zona të mbrojtura të cilat janë ngjitur me njëra-tjetrën, por janë tre qarqe të ndryshëm dhe janë bërë këto lloj ndarjesh. Tani mendohet të zgjerohet e gjithë kjo zonë dhe të kalojë në një sipërfaqe prej rreth 86 mijë hektarë, duke u futur në pjesën e Vermoshit. Pra e gjithë pjesa e Alpeve Shqiptare që fillon që nga pjesa e Vermoshit dhe përfundon në Valbonë. Ky do jetë gjithë territori i Parkut të propozuar. Më shumë se 55 % është pjesë e Qarkut Shkodër dhe pjesa tjetër e qarkut Kukës dhe si bashki janë tre bashki me ndarjen e re, është bashkia në Malësi të Madhe, që kryesisht përmbledh pjesën e Vermoshit, Bashkia Shkodër që përmbledh pjesën e Thethit dhe të Shalës, dhe bashkia Tropojë që përmbledh pjesën e Valbonës. Pra është si të thuash një lloj ‘eksperimenti’ i parë që po bëhet në Shqipëri me një park me një shtrije kaq të madhe,” tha Zamir Dedej, drejtor i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura.

Por Alpet kërkojnë një mënyrë tjetër zhvillimi pa betonizim dhe pa ndërtime shumëkatëshe sikurse është vepruar deri më sot në zonat urbane. Dedej thotë se tani kanë filluar të rikthehen edhe shumë nga banorët që dikur e braktisën këtë vend, madje kanë ardhur nga Amerika e largët për të investuar në këto zona të veriut të Shqipërisë.

“Pati një lloj abandonimi, ku shumica e banorëve të këtyre zonave duke parë vështirësitë, sepse aty ka një periudhë gati 5-6 mujore me borë; ka vështirësi në infrastrukturën dhe komunikimin dhe kjo ka bërë që shumë nga këta banorë të largoheshin, dhe 3-4 vjetët e fundit ka një drejtim invers, tani po rikthehen dhe po ndërtojnë sërish shtëpitë e tyre, ku ndonjëherë fatkeqsisht mund ta themi që ka edhe drejtime pak të tepruara, të egzagjeruara, dhe më të drejtë u ngrit ky shqetësim; A do i betonizojmë dhe Alpet siç kemi betonizuar…? Unë mendoj dhe dua të jem besimplotë që: Jo. Ne nuk mund të bëjmë hotele 5 katshe apo 8-katëshe në një zonë ku një njeri vjen për të parë natyrën. Pra pati një rikthim goxha pozitiv të banorëve, kemi të ardhur nga SHBA-të që janë kthyer atje, dhe që kanë filluar të kuptojnë, janë bërë rreth 1.200 shtretër, Valbona ka më shumë. Dhe kjo them që këtu ka filluar të ndryshojë mentaliteti. Vetëm se tani duhet të fillojmë të bëjmë ato detyrat që kërkohen; infrastrukturën e nevojshme;moslejimin e ndërtimeve pa kriter; dhe mbetjet. Ardhja e turistëve automatikisht sjell disa ndikime që duhet të jenë pjesë e menaxhimi t të zonës,” tha Dedej.

Këtij Parku do ti jepet jetë dhe do të mbrohet falë një koordinimi dhe bashkëpunimi mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe, ashtu siç natyra është lidhur mes malesh, do të krijohet edhe kjo lidhje infrastrukturore dhe administrative.

Qëllimi i Parkut Kombëtar të Alpeve nuk është vetëm mbrojtja por edhe një zhvillim i qëndrueshëm lokal për Valbonën, Thethin dhe Vermoshin. Deri më sot zonat e mbrojtura, sidomos ato malore, janë lënë në harresë totale nga pushteti lokal dhe qendror, ndaj ka ardhur momenti që të rikthehet vëmendja për të sjellë një zhvillim më të madh.

Në shkurt të këtij viti u bë një takim mes ministrave të Mjedisit të Shqipërisë dhe Kosovës për të diskutuar për Parkun Kombëtar të Alpeve. Ministri i Mjedisit të Shqipërisë Lefter Koka dhe homologu i tij nga Kosova Ferid Agani diskutuan për bashkëpunim në shpalljen e Parkut të Alpeve Shqiptare, planin e menaxhimit të tij, si dhe shpalljen zonë ndërkufitare të mbrojtur trepalëshe me Kosovën dhe Malin e Zi.

Alpet4 Alpet3 Alpet2 Alpet1 Alpet

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/25911-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala