25 vjet nga pajtimi i gjaqeve

Marian Demaj, si 25 vjetë më parë doli para burrave kur fali gjakun e tre vëllezërve. Të mërkurën, ai nuk e kishte aspak të lehtë të fliste, për këtë akt madhor që kishte bërë, në përvjetorin e Lëvizjes Gjithëpopullore për Faljen e Gjaqeve.
Këtë gjak tha se ia fali rinisë e popullit.
“Ne rinia, inteligjenca dhe klasa politike duhet të bashkohemi edhe një herë dhe të fitojmë kupën më të vështirë, që Kosovën ta bëjmë të dashur për të gjithë të rinjtë sepse është amanet i atyre që falën gjakun”, tha Demaj.
Presientja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga, e ka vlerësuar si lëvizje përparimtare e largpamëse e nisur si apel që në grevën e parë të minatorëve të Trepçës.
“Lëvizja ishte si një pararojë e ndërgjegjjes kombëtare për liri, për pavarësi dhe demokraci, si një bashkim si një pajtim për popullin tonë”, ka thënë Jahjaga.
Një ndër iniciatorët kryesorë të Lëvizjes për Faljen e Gjaqeve, Mark Krasniqi , tha se qytetarët falën gjaqet për Shqipërinë dhe jo Kosovën dhe se do të vijë koha që shqiptarët nuk do ta kenë Prishtinën por Tiranën.
Kontribut të madh në faljen e gjaqeve u tha se kanë dhënë eedhe komunitetet fetare.
Në vitin 1990 në kishën e Zllakuqanit dhe Novosellës u falën shumë gjaqe dhe ngatërresa si të myslimanëve ashtu edhe të krishterëve.
Gjithashtu atë vitë në ditën e bajramit të bashkuar mbi 300 mijë qytetarë falën mbi 30 gjaqe e shumë ngatërresa.