220 milion euro për biznest që financuan partitë politike

Autori:Gazeta Fjala

Bizneset që kanë mbështetur financiarisht Partinë Demokratike të Kosovës me donacione janë shpërblyer me mbi 162 milion euro përmes 325 tenderëve publik të fituar që nga viti 2007 deri më 2014.

PDK e cila ndodhet në pushtet që nga fundi i vitit 2007, ka pranuar më shumë donacione  krahasuar me partitë e tjera të vendit, por këta të fundit edhe janë shpërblyer më mirë se bizneset që ndihmuan parti të tjera.  PDK kishte përfituar rreth 151,000 euro përkrahje financiare nga biznese dhe donatorë të ndryshëmn gjatë kësaj periudhe.

Në total, bizneset dhe donatorët e ndryshëm që dhanë mjete pesë partive politike në vend – PDK-së, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, dhe Aleanca Kosova e Re, që më nuk është pjesë e kuvendit – kanë përfituar mbi 220 milionë euro që nga viti 2007 në formë tenderësh publik.

Këto të dhëna janë publikuar të mërkuren si pjese të një hulumtimi që organizata Çohu e ka realizuar në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Gazetari Hulumtuese – Preportr.

Lorik Bajrami nga Çohu, ka sqaruar se hulumtimi analizon raportet e auditimit që janë publike për vitet 2009-2012, si dhe janë shkarkuar rreth 700 kontrata të nënshruara nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Tekonologjisë, ish-Ministria e Transportit, Postës, dhe Telekomunikacionit, si dhe nga Ministria e infrasturkturës për periudhën gusht 2007 deri në maj të vitit 2014.

“76 subjekte kanë dhënë donacion prej 264,416 euro për pesë partitë politike.  Këto subjekte kanë fituar 442 tenderë në vlerë prej 220,624 euro nga institucioent publike,” thuhet në hulumtim.

Të dytët për nga përfitimi nga tenderët publik janë donatorët e Lëvizjes Vetëvendosje.  Kjo parti kishte përfituar 1,590 euro donacion nga biznese dhe pronarë të bizneseve, që më pastaj morën 59 tenderë në vlerën prej mbi 58 milion eurosh.

Por, Bajrami ka thënë se hulumtimi i tyre nuk ka analizuar lidhjet e personave që kanë dhënë këta tenderë më partitë në fjalë.

Biznesmenët që përkrahen Aleancën për Ardhmërine e Kosovës me rreth 79 mijë euro, arritën që të përfitojnë 26 tenderë, me vlerë  prej afër 10 milion eurosh.

LDK duket se nuk ka arritur që të tërheqë numër të madh të biznesmenëve që e ndihmuan këtë parti në formë donacionesh.  Mbi 10 mijë euro sa ishin dhënë nga donatorët për këtë parti, janë fituar 13 tenderë, që kapin shumën e rreth m pak se gjysmë milioni euro.

Kurse, partia e Behgjet Pacollit, AKR, e cila në zgjedhjet e fundit nuk arriti që të kalojë pragun zgjedhor, kishte përfituar 12,828 euro në formë donacioneve nga biznese që më pastaj morën 41 tenderë.  Vlera totale e këtyre kontratave ishte mbi 3 milion euro./Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/220-milion-euro-per-kompanite-qe-financuan-partite-politike/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala