2015’ta me 1 milion njerëz më shumë të pasur

Autori:Avdyl Pajaziti

Capgemini e Rbc Wealth Management kanë bërë publike rezultatet e edicionit të vitit 2015 për raportin botëror të Pasurisë. Një analizë vjetore që merr në vlerësim pasurinë e njerëzve më të pasur, të atyre që kanë të ardhura në mbi një milion dollar. Raporti është realizuar duke marrë në konsideratë përgjigjet e rreth 5,000 personave në 23 vende të botës.

Nga të dhënat e grumbulluara nga ‘Bloomberg’ del se numri i të pasurve është rritur me rreth 920,000 njësi. Tashmë rreth 14.6 milionë persona kanë në posedim 56.4 trilionë dollarë ose rreth 7% më shumë në krahasim me vitin e mëparshëm dhe kjo falë ecurisë së mirë të aksioneve në disa bursa.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesojnë klasifikimin me 16.2 trilionë dollarë (+9,1% ndaj 2013), por janë në vend të dytë, kur vjen fjala për numrin e më të pasurve ata llogariten në 4.68 milionë persona (+8%). Rajoni i Azisë–Paqësorit me 4.69 milionë persona (falë rritjes prej 9%), zë vendin e parë për nga numri i super të pasurve, ndërsa të dytin për nga pasuria me 15,82 trilionë dollarë.

Europa zë vendin e tretë me 13 trilionë dollarë. Parashikimet deri në fund të vitit tregojnë për një hov më të madh sa i përket pasurisë që do të zërë rajoni i Azisë–Paqësorit.

Japonia numëron 2.5 milionë persona që kanë një pasuri më të madhe se një milion dollarë, duke u ndjekur nga Gjermania me 1.1 milionë dhe Kina me 890,000, ku bën dallim rritja në terma vjetorë e numrit të të pasurve të rinj (17% ndaj 2013-s). Së bashku me SHBA-në, këto vende përfaqësojnë 63% të super të pasurve në botë.

India është tregu ku numri i të pasurve po rritet me shpejtësi. Ky vend llogarit një rritje prej 26%, shifër e cila e pozicionon në vendin e 11-të me rreth 198,000 milionerë. Italia mban vendin e dhjetë me rreth 219.000 persona.

Pritet që numri i miliarderëve të shkojë në rritje brenda vitit 2017 dhe në total, pasuria e tyre të arrijë në 70 trilionë dollarë, me një rritje në rreth 7.7%.

Sa i përket shpërndarjes së pasurisë, ajo investohet kryesisht në aksione. Japonezët dhe amerikanojugorët po investojnë më shumë në bursa, por ky është më shumë një perceptim, sesa një analizë e detajuar mbi portofolat. Nuk duhet harruar se të pasurit mbajnë edhe shumë para “cash” për t’u mbrojtur nga luhatjet e tregut, si dhe për t’iu përgjigjur nevojave të stilit të tyre të jetës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/2015ta-me-1-milion-njerez-me-shume-te-pasur/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala