2000 kilogram eksploziv në Trepçë

Nuk kanë leje pune, por brenda minerës nuk i ndalin shpërthimet. Gjinganti metalurgjik Trepça tash e dy muaj punon pa liçencë. Kështu, në minierën e Stantërgut dhe Artanës punohet kundërligjshëm.
Por, pavarësisht kësaj, Gazeta Fjala ka mësuar se Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), ka lejuar përdorimin e 2000 kilogramëve eksploziv në minierën e Stan Tergut dhe 300 kilogram për atë të Artanës.
Këshilltari i drejtorit të Trepçës, Ibush Jonuzi pranon se një vendim i tillë është në kundërshtim me ligjin, por ai thotë se KPMM i është përgjigjur pozitivisht kërkesë së tyre për të lejuar përdorimin emergjent të eksplozivit.
“Është bërë një kërkesë ose me mbyllë minierën ose me leju për disa vende specifike përdorimin e eksplozivit. KPMM e ka dërgu këtë kërkesë edhe tek KFOR-i dhe ata e kanë aprovuar”, thotë Jonuzi.
Megjithatë, KPMM nuk ka bord të kompletuar për të vendosur për licencimin e kësaj ndërmarrje. Sipas tij, që nga 24 janar i vitit 2015, miniera e Stan Tërgut dhe Artanës janë pa licenca të shfrytëzimit edhe pse të dy minierat kanë aplikuar me kohë për vazhdim të licencës sipas Ligjit për minierat dhe mineralet.
Në pamundësi të prodhimit, në mungesë të licencës të shfrytëzimit, këto dy miniera, por edhe Trepça në përgjithësi do të jetë në gjendje të rëndë financiare.