20 policë janë arrestuar gjatë një viti

Autori:Avdyl Pajaziti

3.4 për qind e punonjësve të Policisë së Kosovës apo në numër treqindepesë sosh, nën dyshimin se kanë kryer vepra të ndryshme penale janë hetuar vetëm gjatë vitit të kaluar nga ana e Inspektoratit Policor të Kosovës.
Nga ky numër i të hetuarve, si rezultat i gjetjeve nga ana e hetuesve të IPK-së, ky institucion ka arrestuar 20 punonjës të policisë.

Zëdhënësi i Inspektoratit Policor të Kosovës, Arbër Beka, ka bërë me dije për Zëri se pos 20 arrestimeve, vetëm gjatë vitit të kaluar janë bërë 60 rekomandime për suspendim derisa trembëdhjetë rekomandime të tjera janë bërë për transfer.

Këto arrestime e rekomandime sipas Bekës janë bërë si rezultat i 1 mijë e 304 ankesave ndaj zyrtarëve policorë që vetëm gjatë vitit të kaluar i ka IPK-ja.

“233 prej tyre kanë qenë raste me elemente të veprës penale të cilat janë hetuar nga Departamenti i Hetimeve, ku 132 kallëzime penale janë përcjell në prokurori, 86 prej tyre janë dërguar me raport të veçantë kurse 15 raste janë në proces në IPK. 957 raste që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës”, ka thënë Beka.

Nga rastet e hetuara nga IPK-ja e cila ka mandat për të hetuar policët që dyshohen për shkelje të ligjit gjatë punës së tyre, 83 sipas zëdhënësit Beka janë hetuar për vepra penale me elemente të korrupsionit.

Përveç kësaj, 48 zyrtarë janë hetuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, 12 raste për falsifikim të dokumentit zyrtar, 10 raste të marrjes së ryshfetit, 4 raste të ushtrimit të ndikimit, 4 raste zbulimit të fshehtësisë zyrtare, 2 raste të dhënies së ryshfetit, si dhe nga një rast i përvetësimit në detyrë, veprën penale të mashtrimit dhe një po ashtu të konfliktit të interesit.

Ndonëse vlerësohen të jenë shifra të larta, Beka ka bërë me dije se bazuar në këto të dhëna del se 3.4 për qind e punonjësve të policisë kanë qenë nën hetime gjatë vitit të kaluar. Krahasuar me shifrat e një viti më parë, më saktësisht shifrat e vitit 2013, numri i policëve që janë hetuar ka shënuar rënie dhe atë për 0.6 për qind. /zëri

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/20-police-jane-arrestuar-gjate-nje-viti/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala