2.2 kilogramë TNT në xhaminë e Drenasit, pa detonator

Autori:Zekirja Shabani

Në kohën kur sapo kishte përfunduar falja e namazit në xhaminë e qytetit në Drenas, të premten, Policia e Kosovës ka rrethuar objektin e saj.

Një telefonatë nga qytetarët për një çantë me eksplozivë është bërë shkak për të intervenuar, shkruan sot Koha Ditore.

Ajo është gjetur jashtë xhamisë, në një qoshe në anën e majtë të saj. Ndërkaq, policia ka çaktivizuar atë për disa orë. Sipas burimeve të “Kohës Ditore” brenda Njësisë kundër Eksplozivëve, bëhet fjalë për 2.2 kilogramë TNT eksplozivë.

“Eksplozivi është pa detonator. Nuk ka pasur mundësi për shpërthim. Pra, vetëm ka qenë i vendosur për frikësim”, ka thënë ky burim brenda policisë.

Kur është pyetur për këtë aksion, zëdhënësja e Policisë Rajonale, Flora Ahmeti, ka thënë se nuk mund të flasë për sasinë apo llojin e eksplozivit. “Këtë informatë mund ta marrim vetëm nesër”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse deri tani policia ka ndonjë dyshim apo edhe ka ndodhur ndonjë arrestim, Ahmeti ka thënë se nuk ka asnjë të dyshuar e as të arrestuar.

Dyshime rreth kësaj ngjarjeje nuk ka as imami i xhamisë, Osman Musliu. Ai ka thënë se nuk mund ta akuzojë askënd dhe as nuk ka ndonjë person apo grup të veçantë mbi të cilin ka dyshime.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/2-2-kilograme-tnt-ne-xhamine-e-drenasit-pa-detonator/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala