Bizneset mashtrojnë qytetarët me kupona fiskalë

Autori:Avdyl Pajaziti

Shumë prej bizneseve në Kosovë mashtrojnë konsumatorët duke lëshuar kuponë jofiskalë, derisa me ligj janë të detyruara që pas çdo shitje apo shërbimi të lëshojnë kuponët fiskalë nëpërmjet arkës fiskale.

Kjo dukuri doli në sipërfaqe me fillimin e projektit “Kërko kuponin fiskal, përfito para”, të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), nëpërmjet të të cilit qytetarët kanë filluar t’i tubojnë dhe t’i dorëzojnë plikotë me kuponë fiskalë. Nëpër qendrat shërbyese të ATK-së në tërë territorin e Kosovës, kutitë e vërejtjeve janë të mbushura përplot me kuponë jofiskalë.

Prej fillimit të projektit për dorëzimin e kuponëve fiskalë (nga 1 korriku) deri të premten (10 korrik), në qendrat shërbyese të ATK-së janë dorëzuar 435.439 kuponë fiskalë, prej tyre rreth 200 janë kuponë jofiskalë.

Këtë e kanë pohuar për KosovaLive edhe zyrtarët e ATK-së, duke thënë se gjatë pranimit të plikove, zyrtarët e shërbimit dhe edukimit të tatimpaguesve po evidencojnë se ka të përfshirë edhe kuponë jofiskalë, pra kuponë të lëshuar nga tatimpaguesit, por jo nëpërmes të arkës fiskale.

Zyrtarja për komunikim me publikun në ATK, Valentina Bytyqi – Sefa, ka thënë për KosovaLive se kuponët jofiskalë janë duke u tërhequr nga plikotë nga zyrtarët e ATK-së dhe  janë duke u vendosur nëpër kutitë e vërejtjeve që posedon ATK-ja në çdo zyrë rajonale, përfshirë edhe atë qendrore.

“Në kuadër të ATK-së ekziston Zyra për standarde profesionale, e cila më pas ka për obligim të kujdeset për trajtimin e kuponëve jofiskalë. Nga kjo zyre po bëhet evidencimi i tyre dhe deri më tani vetëm në kutitë e vërejtjeve të cilat janë hapur, janë evidencuar gjithsejtë 187 kuponë jofiskalë, mirëpo këtu nuk janë të përfshirë edhe kuponët që mund të jenë në kutitë e vërejtjeve edhe në disa zyre rajonale  të ATK-së”, ka thënë Bytyqi – Sefa.

Fakti se lëshohen kuponë jofiskalë tregon se ka shmangie në deklarimin real të tatimit dhe ATK-ja do të merret me origjinën e kuponëve të tillë dhe do të ndërmarrë masa ndaj kompanive dhe bizneseve që lëshojnë kuponë jofiskalë, ka thënë Bytyqi – Sefa.

Prej fillimit të procesit të fiskalizimit të bizneseve nga viti 2010 nga 40 mijë biznese, pak më shumë se gjysma e tyre, 21 mijë, janë pajisur me arka fiskale. Si duket edhe ngecja e fiskalizimit po i kontribuon bizneseve që të vazhdojnë me evazion fiskal, duke iu shmangur lëshimit të kuponëve fiskalë.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovë (OEK), Safet Gërxhaliu, ka thënë se ajo çka po ndodhë me kuponë fiskalë te qytetarët e Kosovës dëshmon se shumë më tepër flitet për proceset kundër luftës së ekonomisë informale dhe evazionit fiskal se sa që veprohet.

Procesi i fiskalizimit, sipas tij, nëse do të implementohej ashtu si duhet nuk do të ndodhte lëshimi i kuponëve jo-fiskalë nga bizneset. Ai thotë se lëshimi i kuponëve fiskalë është edhe një sinjal që duhet të bëhet luftë kundër korrupsionit dhe evazionit fiskal. Andaj, duhet të angazhohen të gjithë akterët relevantë për të minimizuar këtë fenomen negativ të shoqërisë kosovare.

“Mirëpo procesi i fiskalizimit shumë më tepër është vetëm si dekor sesa substancë. Kosovës i duhet substancë për implementimin e këtij procesi dhe në qoftë se Kosova do ta implementojë dhe kontrollojë një proces të tillë, atëherë efektet e ekonomisë së Kosovës do të jenë më të mëdha, do të ketë konkurrencë të barabartë, buxhet më të lartë dhe do të ketë përmirësim të perceptimit negativ të imazhit të Kosovës karshi investitorëve të huaj, por edhe institucioneve ndërkombëtare të cilat bëjnë monitorimin e ekonomisë së Kosovës”, ka thënë Gërxhaliu.

Zyrtarët e ATK-së theksojnë se secili qytetar duhet të vetëdijesohet se është e drejtë e tij që të kërkojë kuponin fiskal në momentin e furnizimit me mall apo me shërbim.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), ka theksuar se kuponët fiskalë që po i grumbullojnë qytetarët janë të kompanive që janë të pajisura me arka fiskale,por ka pyetur se ku janë ato kompani dhe ato subjekte ekonomike që nuk kanë arka fiskale dhe as nuk shpërndajnë kuponë fiskalë?

“Shmangia e kompanive dhe bizneseve nga procesi i fiskalizimit do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës, ndërsa projekti i grumbullimit të kuponëve fiskalë është edhe një tentim për rritjen e vetëdijes së qytetarëve që mos të blejnë mallra aty ku nuk ka kuponë fiskalë”, ka thënë Shahini.

Qytetarët e Kosovës, sipas tij, duhet t’i bojkotojnë subjektet ekonomike ku nuk kanë arka fiskale e të shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila siç thotë ai, se nuk beson se do të zgjatë shumë, për arsye se nuk do të jetë në dobi të buxhetit të shtetit.

Interesimi i qytetarëve është tejet i madh lidhur me dorëzimin e kuponëve fiskalë. Për 10 ditë në ATK janë dorëzuar 7,099 pliko me 435,439 kuponë fiskalë. Në grupin I që kap shumën prej (250 deri 500 euro) janë dorëzuar 2,112 pliko me kuponë fiskalë; në grupin II (mbi 500 deri 800 euro) janë dorëzuar 1,708 pliko me kuponë fiskalë; në grupin III (mbi 800 euro) janë dorëzuar 3,279 pliko me kuponë fiskalë. Ndërsa pliko të verifikuara nga Komisioni janë 1,141 sosh./kl/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/18176/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala