173 mijë vende të reja pune për një muaj

173 mijë vende të reja pune janë hapur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës vetëm gjatë muajit gusht. Lajmi bëhet i ditur nga Departamenti i Punësimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, referuar raportit të fundit të papunësisë, përpara vendimit për rritjen e normës së interesit gjatë shtatorit nga Rezerva Federale.
Megjithatë, analistët thonë se shifrat janë shumë më të ulëta sesa parashikimet (217 mijë vende të reja).
Gjithsesi Departamenti i Punësimit ka bërë të ditur se shifrat e gushtit mund të rishikohen.
Gjatë kësaj periudhe, norma e papunësisë ra në 5.1 për qind, nga 5.3% që ishte në korrik. Kjo normë është më e ulëta që prej prillit 2008.
Nga rishikimi i shifrave të dy muajve të mëparshëm, gjatë korrikut janë shtuar edhe 44 mijë vende të reja pune, duke kapur shifrat e 245 mijë të tillave, nga 201 mijë që ishin bërë të ditura.