17 Vjet nga fillimi i sulmeve të NATO-s

Autori:Avdyl Pajaziti

Fushata ajrore NATO-s para 17 vjetësh shënon fillimin e fundit të luftës në Kosovë. Kështu kujtohet 24 marsi i vitit 1999, kur nisën sulmet e para të NATO-s, mbi caqet serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Shpresa që ishte venitur për shqiptarët në fillim të viteve të ’90-a u rikthye pikërisht me 24 mars të vitit 1999. Atë ditë aeroplanët e NATO-s, u nisën drejt caqeve ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi, me qëllimin e vetëm, shpëtimin e një populli që po përballej me gjenocid.
Komandanti Suprem i NATO-s për Evropë, gjenerali Vesley Clark, në një rrëfim të tij e përshkruan kështu mbrëmjen e 24 marsit  të vitit 1999.

“Nga Uashingtoni më thirrën në orën 17 e 31 minuta. Ishte kryesuesi i shtabit të bashkuar Henri Shelton i cili përcolli urdhrin përfundimtar. Ves, tha ai, ke urdhër, nisja. Pak para pas orës 19 më telefonuan nga shtabi qendror në Napoli. Raktet u lansuan”, rrëfen gjenerali Clark.

Profesori i të drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti thotë se kjo datë shënon një kthesë historike në zhvillimet moderne të së drejtës ndërkombëtare.

“Shtetet morën një mësim shumë të fuqishëm se ato nuk mund  të bëjnë çkado me qytetarët e vetë, por sovraniteti dhe veprimi i shtetit kufizohet me të drejtat e njeriut, të cilat shtetet janë të obliguara t’i zbatojnë”, thotë Hoti.

Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, sipas Hotit, shënon edhe hapjen e një debati në lidhje me legalitetin dhe legjitimitetin e ndërhyrjes ndërkombëtare ndaj një shteti sovran siç ishte Serbia.

“Ka argument pro dhe kundër, megjithatë, shumica janë të mendimit se edhe veprimi i NATO-s, ishte legal. Në kuptimin e legjitimitetit mendoj se nuk ekziston as më e vogla dilemë, sepse përmes këtij veprimi u shpëtua nga shfarosja një popull i tërë dhe kjo legjitimon edhe në kuptimin humanitar edhe në kuptimin moral, por edhe në kuptimin politik ndërhyrja që iu bë një shteti agresor”, tha Hoti.

Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, fushata e forcave të NATO-s përfundoi më 10 qershor të vitit 1999. Në këtë mënyrë pas 78 ditë bombardimesh, regjimi i Sllobodan Millosheviqit u përkul dhe i pranoi kushtet e Aleancës Veriatlantike.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/17-vjet-nga-fillimi-i-sulmeve-te-nato-s/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala