164 milionë europianë me probleme mendore

Autori:Avdyl Pajaziti

38,2% e popullsisë së Europës është goditur nga një lloj forme e shqetësimeve mendore: pra e thënë ndryshe, 164 milionë qytetarë me një ndikim ekonomik të vlerësuar prej rreth 798 miliardë eurosh.

Fatkeqësisht vetëm një në tre europianë kurohet ose i drejtohet një specialisti: këto janë të dhënat e paraqitura nga Vjena me rastin e Kongresit të Shoqatës Europiane të Psikiatrisë (EPA) para pak ditësh.

Objekti i takimit ishte hartimi i planeve të përbashkëta për t’i bërë ballë asaj që po bëhet gjithnjë e më tepër një problem global.

Numrat në rritje

Në një vend fqinj si Italia për shembull, problemi në fjalë prek 17 milionë persona. Ekspertët kanë vënë në dukje se si aspekti më alarmant për sa i takon trendit në rritje të vazhdueshme të patologjive psikiatrike, brenda vitit 2030, mund të jenë sëmundjet më të shpeshta në nivel global. Në veçanti vazhdojnë të rriten numrat e lidhur me depresionin (i cili prek rreth 7.2% të popullsisë europiane), shqetësime konjiktive si Alzheimer (3,5%) dhe shqetësimet e lidhura me abuzimin e alkoolit (3,4%).

Por në rritje është edhe numri i problemeve që lidhen me panikun dhe me regjimin e gjumit. Duket sikur ndërkohë që mirëqenia social-ekonomike po bëhej një element konstant në jetët e shumë europianëve, nervozizmi ekzistencial po kryesonte në jetët e në shtëpitë e tyre dhe më pas erdhi kriza ekonomike dhe pesha e rritjes së punësisë ka goditur e vazhdon të godasë pothuajse të gjitha moshat.

Studimet e fundit kanë konfirmuar se e gjitha kjo përkthehet në një rritje të numrit të vetëvrasjeve: tashmë ky numër në të gjithë botën është 800 mijë raste në vit.

Një shoqëri që po bëhet gjithnjë e më e brishtë

Ekspertët kanë përcaktuar në të njëjtën strukturë të shoqërisë moderne rrënjët e kësaj errësire të keqe gjithnjë e në rritje: ndryshimet e shpejta dhe rregullat e kërkuara për t’i bërë ballë një bote në transformim të vazhdueshëm, peshojnë tek ekuilibrat dhe lumturia e individëve. Me pasoja dramatike sidomos për personat më të brishtë, si të rinjtë dhe të moshuarit: “Përballë një kompleksiteti në rritje të dinamikave sociale rriten edhe tensionet, ndërkohë që mungojnë gjithnjë e më shumë format amortizatore për të lehtësuar ankthin. Pra, është thelbësore që tashmë Europa të investojë më shumë për shëndetin mendor”, ka shpjeguar psikiatri Claudio Mencacci, drejtori i departamentit të neuroshkencave në Spitalin e Milanos.

Problemet mendore si problem publik

Shqetësimet mendore përbëjnë një problem të shëndetit publik për shumë arsye. Ato kanë një prekshmëri të lartë thuajse në të gjitha moshat dhe pa dallime gjinie. Janë të lidhura me nivele të konsiderueshme luhatjeje të funksionimit psikologjik, duke ndikuar ndjeshëm në raportet ndërpersonale me familjarë, kolegë etj. Por ato njëkohësisht janë burim i një kostoje të lartë shoqërore dhe financiare po ashtu. Aktiviteti mendor është një fushë, e cila karakterizohet nga rrethana të ndryshme, në momente të ndryshme të jetës së njerëzve.

Ku të drejtoheni?

Terapia më e mirë është ajo e bashkëpunimit me një mjek specialist. Këto nuk janë episode sporadike, por në shumicën e rasteve shpërthejnë në një krizë të vërtetë që nis në adoleshencë apo vitet e para të rinisë, shumë shpesh, pas një periudhe të gjatë vuajtjesh, në të cilën kanë vepruar negativisht një seri faktorësh mjedisorë dhe personalë. Specialistët bien dakord në një mendim, në faktin se kurimi duhet të jetë në bazë të fazës dhe tipit të shqetësimit. Është kuptuar se personit me të tilla shqetësime duhet t’i ofrohet një gamë e gjerë teknikash dhe instrumentesh përgjatë trajtimit. E rëndësishme është të ekzistojnë një bashkëpunim mes personave të sëmurë, familjarëve të tyre dhe mjekëve./Shqip

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/164-milione-europiane-me-probleme-mendore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala