Thaçi kërkon ndihmë nga Franca

Autori:Avdyl Pajaziti

Zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të vizitës zyrtare në Paris është takuar edhe me homologun e tij francez, Laurent Fabius.

Zëvendëskryeministri Thaçi e ka vlerësuar lart ndihmën dhe rolin e veçantë të Francës për shtetndërtimin dhe mbështetjen e gjithmbarshme të shtetit të Kosovës. Ai ka falënderuar homologun e tij francez edhe për përkrahjen dhënë anëtarësimit të Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Frankofonisë.

“Jemi përqendruar në anëtarësimin në organizata të ndryshme që të përfitojnë qytetarët Kosovës”, ka thënë Thaçi.

Sipas kumtesës së MPJ, Thaçi e ka njoftuar homologun e tij francez edhe për procesin e integrimit dhe të dialogut me Serbinë në Bruksel.

“Nënshkrimi i MSA-së, që pritet të bëhet sa më parë, do të shënojë edhe një konfirmim të suksesit tonë. Tani po punojmë me përkushtim edhe më të madh në zhvillimin ekonomik. Investimet e jashtme tashmë kanë marrë hov, duke përfshirë edhe projektin për Brezovicën”, i ka thënë Thaçi, kryediplomatit francez Fabius, transmeton Telegrafi.

Gjithashtu, zëvendëskryeministri Thaçi ka ritheksuar se përkrahja e Francës mbetet qenësore për Kosovën në sigurimin e njohjeve nga shtete të reja dhe për anëtarësim në UNESCO por edhe në organizatat sportive. U kërkua përkrahje edhe liberalizimin e vizave, sidomos tani pas luftimit të suksesshëm të emigrimit ilegal.

Thaçi dhe Fabius kanë diskutuar edhe për intensifikimin e investimeve ekonomike të ndërmarrësve francezë. /Telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/14317/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala