Lirohen të akuzuarit për aferën e armëve

Autori:Avdyl Pajaziti

Pesë të akuzuarit për aferën e armëve të Policisë së Kosovës janë lënë të lirë nga akuzat.

Tre zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe dy biznesmenë janë liruar nga akuzat për krim të organizuar, furnizim, transport dhe shitje të pautorizuar të armëve.

KALLXO.com ka siguruar një kopje të vendimit të Gjykatës së Prishtinës me të cilin është hedhur poshtë aktakuza ndaj nënkolonelit të policisë Ragip Bunjaku,ish-shefes së prokurimit të policisë Xhevahire Vatovcit, ish-shefit të Divizionit të Armëve në MPB Kadrush Koliqit dhe biznesmenëve Armend Selimi e Astrit Pira.

Vendimi i cili është nxjerrë më 28 maj thekson se aktakuza është hedhur poshtë për shkak se prokuroria nuk u është përmbajtur afateve ligjore të hetimit.

Në tetor të vitit 2011 Policia e EULEX-it me autorizimin e ish-kryeprokurores Izabela Marnak kishte kryer bastisje në lokalet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës me pretendimet se gjatë tenderit për importin e armëve dhe municioneve për Policinë e Kosovës kishte pasur keqpërdorime.

Atëkohë EULEX-i kishte njoftuar se dëmet në buxhetin e Kosovës nga këto keqpërdorime mund të ishin të mëdha.

Rasti atëherë kishte bërë bujë të madhe dhe ishte emëruar si skandali i armëve të Policisë së Kosovës.

Katër vjet pas bastisjeve, në janar të 2015-ës, EULEX-i nëpërmjet një komunikate njoftoi se Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj pesë personave duke përfshirë këtu edhe zyrtarët e lartë të policisë dhe MPB-së.

Aktakuza në fjalë ishte dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe e njëjta ishte marrë në shqyrtim nga një trup gjykues i drejtuar nga gjykatësja Mariola Pasnik.

Avokati Sevdali Zejnullahu, mbrojtës i Ragip Bunjakut, ka konfirmuar për KALLXO.com se mbrojtja ka pranuar një vendim të gjykatëses me të cilin aktakuza është hedhur poshtë.

“Ne si mbrojtje kemi kundërshtuar aktakuzën me pretendimet se ajo është hartuar jashtë afateve të cilat i përcakton Kodi Penal I Kosovës, ankesa jonë është miratuar nga gjykata e cila ka konsideruar se aktakuza është ngritur jashtë afateve të cilat I ka paraparë kodi penal,” tha Zejnullahu.

Sipas tij prokuroria ka të drejtë ankese ndaj vendimit të gjykatës.

“Edhe nëse prokuroria parashtron ankesë, ne presim që Gjykata e Apelit të marrë një vendim të njëjtë me gjykatën themelore,” shpjegoi Zejnullahu.

Avokati i eprorit të policisë ka paralajmëruar se së bashku me klientin e tij janë duke menduar që të nisin procedura ligjore me të cilat do kërkojnë llogari për dëmtimin e imazhit.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/13930/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala