Policia largon lëmoshëkërkuesit

Autori:Avdyl Pajaziti

Ankesat e vazhdueshme të komunitetit të biznesit e kanë detyruar Policinë e Kosovës që në bashkëpunim me institucionet e tjera të ndërmarrë veprime në qendër të Prizrenit për largimin e lëmoshëkërkuesve.

Sipas të dhënave të Policisë, ditëve të fundit janë ndaluar 25 persona që kërkonin lëmoshë, dhe dhjetë prej tyre kanë dalë para organeve të drejtësisë.

“Pas disa ankesave të vazhdueshme nga komuniteti i biznesit në Prizren lidhur me shqetësimin që atyre u bëjnë lëmoshëkërkuesit, Policia e Prizrenit ka ndërmarrë veprime operative në bashkëpunim të ngushtë me Gjykatën Themelore në Prizren,Qendrën për Punë Sociale dhe Policinë Kufitare të Shqipërisë. Gjatë ditëve të fundit, kryesisht në Sheshin Shatërvan, janë zënë duke kërkuar lëmoshë në mënyrë të bezdisshme 25 persona. Prej tyre 22 nga Republika e Shqipërisë, ndërsa tre nga Kosova”, ka thënë zëdhënësi i Policisë Rajonale të Prizrenit, Hazir Berisha.

Sipas tij, dhjetë lëmoshëkërkues kanë dalë para gjyqtarit për kundërvajtje, ndërsa të tjerët kanë qenë fëmijë.

“Po ashtu, edhe të mërkurën është hasur një qytetar nga Komuna e Rahavecit duke kërkuar lëmoshë në mënyrë të bezdisshme në Shatërvan, i cili është dërguar në gjykatë”, ka shtuar Berisha , shkruan sot Koha Ditore.

Ai ka theksuar se në kuadër të këtij operacioni janë të angazhuar disa policë civilë, të cilët kanë bërë identifikimin, kapjen dhe largimin e lypsarëve nga qendra e Prizrenit.

Ndërkohë, pronarë të lokaleve hoteliere dhe gastronomike kanë konfirmuar shprehjen e ankesës te organet e sigurisë, për shkak të numrit të madh të lypsarëve,që bezdisin myshterinjtë lokalë dhe vizitorët.

Në anën tjetër, edhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, pati kërkuar nga policia që të marrë aksion për largimin e lypsarëve.
“Prania e lypsarëve në qendër të Prizrenit mund të ndikojë në interesimin e vizitorëve, pasi që ndodhemi në prag të sezonit turistik”, pati thënë Muja.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/11455/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala