111 raste të shkeljes së privatësisë në Kosovë, gjatë 2015’ës

Autori:Gazeta Fjala

Shfrytëzimi i të dhënave personale pa autorizim apo shkelja e privatësisë është një rrezik që kanos gjithë botën, e përjashtim nuk po bënë as Kosova dhe institucionet e saj

Lidhur me këtë, Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gjatë vitit 2015 ka pranuar 111 raste (ankesa), shifër kjo që është grumbulluar nga ueb-faqja dhe libri i protokollit.

Këtë e ka konfirmuar për Indeksonline, Jehona Fetaj-Lani, zyrtare për Komunikim me Publikun në Agjencinë Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, e cila ka thënë se rastet e shkeljes së privatësisë janë të ndryshme.

“Gjatë vitit 2015 janë bërë gjithsej gjashtë kërkesa për inicim të procedurës kundërvajtëse; tri nga lëndët janë për arsye të marketingut të drejtpërdrejtë, dy nga lëndët për përpunim të të dhënave personale të ndjeshme dhe zbulim të paautorizuar të të dhënave personale. Gjithashtu, është bërë një kallëzim penal ‘zbulim të paautorizuar të të dhënave personale të ndjeshme’”, ka thënë Fetaj-Lani.

Ajo po ashtu ka thënë se raste të gjobitjes ka pasur edhe për ata persona që kanë dërguar sms gjatë fushatave zgjedhore elektorale.

“Për rastet e marketingut të drejtpërdrejtë, gjatë fushatës së kaluar elektorale janë proceduar 17 lëndë për kërkesa për procedura kundërvajtëse pranë gjykatës kompetente”, ka theksuar Fetaj-Lani.

Ndërkohë që dje në konferencën ndërkombëtare me temën “Siguria Kibernetike dhe Privatësia”, të organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), në bashkëpunim me Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Njësitin për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Zbatim të Ligjit (ILEK) të Policisë së Kosovës, Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës e organizata të tjera, u tha se në vitin 2015 është hartuar Strategjia kombëtare për rritjen e sigurisë kibernetike, fushë kjo e cila kërkon ekspertë të përgatitur, në mënyrë që të mbrohen institucionet financiare nga këto krime.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/111-raste-te-shkeljes-se-privatesise-ne-kosove-gjate-2015es/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala