10 protestat më të përgjakshme të studentëve nëpër botë

Autori:Avdyl Pajaziti

Të drejtuar nga dëshira për ndryshim dhe prej idealeve të modernizmit, dhjetëra mijëra studentë, përgjatë historisë, janë tubuar në rrugë, shpesh të gjendur përballë dhunës policore dhe vdekjes.

Përgjatë historisë, një numër i pafund studentësh kanë marrë rrugët në kërkim të ndryshimit të gjendjes aktuale të vendit të tyre. Këta janë zërat më të fortë të historisë së aktivizmit studentor që janë kthyer gjithashtu në protestat më të përgjakshme.

  1. Maj 1968, Francë

Më 3 maj 1968, një protestë studentore nga Universiteti i Sorbonës pothuajse nxiti një revolucion. Në protestë kundër mbylljes së Universitetit në Parisit në Nanterre dhe përjashtimit të planifikuar të disa studentëve të Nanterres, shokët e tyre nga Universiteti i Sorbonës dolën masivisht në rrugë.

Studentët, mësuesit dhe mbështetësit e tyre ishin lodhur nga sistemi i vjetër arsimor dhe mungesa e mundësive të punësimit për të diplomuarit. Për disa ditë, qindra studentë u përleshën me policinë në rrugët e Parisit, ngritën barrikada, hodhën gurë dhe gaz lotsjellës.

Disa persona vdiqën dhe qindra të tjerë u plagosën. Pas përfshirjes në grevë të punëtorëve, rezultati ishte një reformë arsimore, kushte më të mira pune dhe paga më të larta.

  1. Lëvizja gjermane e studentëve, 1968

Viti 1968 ishte viti i trazirave globale dhe Gjermania Perëndimore nuk përbën përjashtim. Rryma komuniste po rritej, universitetet ishin të mbipopulluara dhe një fraksion i partisë majtiste, nën liderin anarkist, Rudi Dutschke, po ndiqte linjat e veprimit radikal.

Më shumë studentë filluan protestat dhe gjërat arritën çastin më të keq kur Dutschke u qëllua në kokë tri herë nga fashisti Josef Bachmann, që e cilësonte Dutschke një “derr të ndyrë komunist”.

Dutschke pësoi dëmtim serioz në tru, që me kalimin e kohës çoi në vdekjen e tij më 1979-n. Rreth 50 000 të rinj dolën në rrugë për të ndaluar shpërndarjen e gazetës “Bild”, e cila kishte shkruar një mesazh: “Eliminoni trazovaçët”. Policia arrestoi mbi 180 studentë.

  1. Protesta studentore në SHBA në vitin 1970

Më 4 maj 1970, një grup studentësh nga Universiteti Kent në Ohaio, u mblodhën për të protestuar kundër pushtimit të Kamboxhias nga Niksoni. Tensionet qenë të larta dhe Garda Kombëtare e Ohaios qëlloi 67 herë ndaj turmës së paarmatosur. Katër studentë vdiqën, një u paralizua dhe tetë të tjerë u plagosën.

Vdekjet e paralizuan vendin dhe çuan në protesta të dhunshme dhe disa të tjera paqësore kudo në vend. Rreth 450 institucione arsimore u përfshinë në ato trazira dhe mbi 4 milionë studentë ishte numri total i atyre që protestuan. Skenat i ngjanin më tepër luftës civile, sesa një proteste studentore.

  1. Protesta studentore në Kili, viti 2011-2012

Më 4 gusht 2011, pas muajsh protesta, studentët nga Kili refuzuan reformën arsimore të propozuar nga Presidenti Sebastian Pinera dhe nga protestat rezultuan 874 studentë të arrestuar, 90 oficerë të policisë ushtarake të plagosur dhe një kat i tërë dyqanesh të djegura.

Qëllimi kryesor ishte të rriteshin fondet publike për arsimin publik, pasi nuk ishte ndërtuar asnjë universitet i ri në vend që nga viti 1990, ndërsa të interesuarit për arsim të lartë, po rriteshin. Në atë kohë protestuan rreth 200 000 studentë.

  1. Protestat studentore në Iran, viti 1999

Pas një dite të gjatë proteste kundër mbylljes së revistës reformiste “Salam”, studentët nga Universiteti i Teheranit në Iran ranë në gjumë në konviktet e tyre. Ishte 8 korrik 1999 dhe trazirat sociale ishin të larta, por gjërat do të bëheshin më keq.

Pak orë pas mesnatës, studentët u zgjuan nga një sulm i paprecedentë. Policë të maskuar dhe një fraksion paraushtarak hyri me forcë në konviktin e tyre dhe shkatërruan gjithçka. Shumë studentë u plagosën, një student, vizitor në kamp, u vra në atë sulm. Pas kësaj, protestat u përhapën edhe te qytetarët e tjerë.

Pavarësisht dhunës policore për të shtypur me forcë protestat, kjo gjë çoi në krijimin e lëvizjes së pavarur studentore të Iranit, e cila ka qenë aktive në vend që prej kësaj kohe.

  1. Të shtënat në Indonezi, viti 1998

Katër studentë u qëlluan për vdekje dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga forcat e sigurisë në Universitetin Trisakti në Xhakartë, Indonezi, më 12 maj 1998. Më herët, 6000 studentë, profesorë dhe staf i universitetit, u mblodhën për të kërkuar dorëheqjen e Presidentit Suharto. Ekonomia në Indonezi ishte në periudhën më të keqe.

Dhe megjithëse protesta ishte paqësore, policia e bllokoi marshimin e tyre dhe i detyroi ata të ktheheshin në kampet e universitetit dhe qëlluan mbi ta. Pasi publiku mësoi për vrasjet, pati trazira të mëdha civile. Më pas, revolta devijoi ndaj kinezëve indonezianë, ku pati 1200 të vrarë. Presidenti Suharto dha dorëheqjen më 21 maj 1998.

  1. Kryengritja studentore e Athinës, viti 1973

Kur greva studentore e nëntorit 1973 nuk mori përgjigje, studentët nga Politekniku i Athinës e mbyllën veten në universitet dhe ndërtuan një radiostacion, duke përdorur mjete nga një laborator. Ata transmetuan kudo nëpër Athinë, duke i nxitur njerëzit e Greqisë t’i bashkoheshin atyre kundër diktaturës.

Mijëra njerëz iu përgjigjën dhe u mblodhën jashtë universitetit, në një kundërrevoltë të hapur ndaj qeverisë. Ata paguan një çmim të lartë. 25 tanke dolën në rrugë dhe u vendosën përpara universitetit. Njëri prej tyre shkatërroi derën kryesore dhe ata që tentuan të iknin, u vranë me snajperë nga çatitë. Të paktën 24 persona vdiqën dhe qindra të tjerë u plagosën, ndërsa 1000 persona u arrestuan.

  1. Protestat në sheshin “Tiananmen”, Kinë, viti 1989

Masakra e sheshit “Tiananmen” është një nga më të njohurat dhe një nga protestat më ikonike të studentëve në histori. Më 21 prill 1989, më shumë se 100 000 studentë kinezë protestuan në sheshin “Tiananmen”. Kur protesta e tyre u quajt si “kryengritje”, ata këmbëngulën se ishte patriotike, ndërsa cilësimi si “kryengritje”, do të sillte reagim të ashpër nga qeveria. Në pikun e protestave, 50 000 njerëz u mblodhën në shesh. Pasi protestuesit reaguan ashpër ndaj forcave policore që ishin kryesisht paqësore, ushtria u kthye të nesërmen dhe siç njihet prej të gjithëve, filloi shtypjen e saj me tanke.

  1. Masakra Tlatelolco, Meksikë, viti 1968

2 tetori i vitit 1968 ishte një ditë tragjike për Meksikën. Vendi po përgatitej të organizonte Lojërat Olimpike Verore të 1968-s dhe protestuesit, shumica studentë, po përpiqeshin t’i përdornin lojërat për të tërhequr vëmendjen e publikut ndaj qeverisë shtypëse të tyre.

Ata kërkuan dorëheqjen e shefit të policisë, pavarësi për universitetet dhe lirimin e të burgosurve politikë. Të paktën 44 njerëz u vranë dhe 1345 u arrestuan.

  1. Kryengritja e Sovetos, Afrika e Jugut, 1976

Në vitin 1974, Departamenti Afrikano-Jugor i Arsimit, vendosi që gjuha afrikane të përdorej nëpër shkolla. Asaj iu dha e njëjta rëndësi sikurse dhe anglishtja dhe zëvendësoi gjuhën vendase Bantu të popullatës me ngjyrë. Shumë mësues afrikanë nuk dinin ta flisnin këtë gjuhë dhe studentët vunë re se notat po u uleshin. Më keq akoma, gjuha afrikane lidhej ngushtë me Aparteidin dhe konsiderohej si gjuha e shtypësit.

Më 16 qershor 1976, mijëra studentë dolën nga klasa dhe u drejtuan në një tubim në stadiumin “Orlando”. Ata ishin të paarmatosur dhe thuajse paqësorë, megjithëse hidhnin gurë. Pasi një polic qëlloi me armë, njerëzit i kapi paniku dhe pas kësaj shpërtheu dhuna policore, ku mendohet se vdiqën 176 njerëz, sipas shifrave zyrtare. Megjithatë, të tjerë thonë se numri i të vdekurve mund të jetë edhe 600. Këto protesta i hapën rrugën rezistencës dhe ndryshimit.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/10-protestat-me-te-pergjakshme-te-studenteve-neper-bote-2/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala