10 gjërat që amerikanët ua kanë më shumë frikën

Autori:Avdyl Pajaziti

Sondazhi – Njihen si njerëz me humor, praktikë dhe krenarë, por një studim i ri në SHBA na shfaq në mënyrë sensacionale se korrupsioni, terrorizmi, rrënimi ekonomik janë vetëm disa nga fenomenet që shkaktojnë frikën e ngjallin shumë pasiguri ndër qytetarët amerikanë për vitin në vijim

Njihen si njerëz me humor, praktikë dhe krenarë, por kur vjen puna te frika që lidhet me jetën e përditshme, duket se amerikanët shfaqen irracionalë. Këtë e tregon një studim i ri i ndërmarrë nga një universitet amerikan, që ofron një informacion të gjerë mbi frikësimet më të mëdha të qytetarëve amerikanë për vitin 2015.

Rezultatet e kërkimit që ata kanë zhvilluar, kanë habitur shumëkënd – pavarësisht se kërkime të tilla janë zhvilluar shpesh, duke na bërë të besojmë se kundër frikësimeve më të mëdha njerëzore nuk ndihmon dot asnjë armë.

Kështu, më shumë se gjysma e popullsisë (58 për qind) ia ka frikën një aparati shtetëror të korruptuar. Këto janë disa nga gjetjet e studimit (të aktualizuar) të Universitetit “Chapman” në Kaliforni.

Ndër dhjetë shqetësimet e frikësimet më të mëdha të shtetasve amerikanë sipas studimit, i cili bazohet në një sondazh ku kanë marrë pjesë më shumë se 1500 persona të rritur nga i gjithë territori i SHBA-së, renditen frika nga terrorizmi kibernetik, spiunazhi dhe sulmet terroriste.

Në vendin e nëntë mbizotëron frika që lidhet me rrënimin ekonomik individual (37,4 për qind). Por në “top ten”, futen gjithashtu edhe lufta biologjike, frika nga mungesa e parave, mashtrimi me kartat e kreditit dhe në krye, me 58 për qind, megjithëse duket paradoksale, rezulton frika nga korrupsioni i instancave shtetërore.

Frikë nga “katastrofat” që bën dora e njeriut

Ndoshta e çuditshme, por në dhjetëshen e parë të kësaj liste, nuk gjen vend fare ajo që lidhet me shëndetin apo çështjet shëndetësore. Vetëm një ndër tre amerikanë ka frikë nga sëmundjet: më shumë njerëz kanë frikë nga pasojat e sistemit të sigurimeve shëndetësore të ndërmarra nga administrata Obama, të ashtuquajturat “Obamacare” (me 36 për qind). Në thelb, amerikanëve, problemet shtetërore, zhvillimi teknologjik dhe katastrofat e shkaktuara nga dora e njeriut, janë ato që u shkaktojnë më së shumti frikë e pasiguri. Vetë katastrofat natyrore të mirëfillta, renditen shumë poshtë në renditje, duke zënë vendin e 88: më shumë amerikanë (33 për qind) kanë frikë nga reptilët sesa nga tornadot (31,4 për qind) ose dhe nga ngrohja e Tokës (30,7 për qind).

Amerikanët: Vetmia, më e keqe se vdekja

Nga emigracioni ilegal, duket se kanë frikë apo shqetësohen seriozisht 29,7 për qind e amerikanëve; thuajse po kaq kanë frikë edhe nga shoferët e pirë që ngasin makinat në rrugët amerikane (26,5 për qind). Vetmia, me 22 për qind, shfaqet si një zë më i fortë në listën e frikës së amerikanëve, duke ia kaluar edhe asaj ndaj vetë vdekjes (e cila zë 21,9 për qind të volumit). Dhe ndërkaq, akoma 6,8 për qind e amerikanëve i shmangen me frikë shikimit të klounit. Gjithkush mund të pyeste me këtë rast: Si ka mundësi që frika nga një shtet i korruptuar dhe terrorizmi kibernetik, të jetë më e madhe sesa ajo nga vdekja, sëmundjet apo problemet financiare?

“Para së gjithash, janë gjërat e pakontrollueshme e të panjohura ato të cilat prodhojnë frikë”, shpjegon në lidhje me fenomenin, Christopher Bader, drejtor i studimit. “Teknologjia dhe e ardhmja e sistemit tonë ekonomik për amerikanët, për momentin, vështirë të shmangen nga lista.”

“Në rrethin tonë kulturor bëhet fjalë më pak për frikë akute, ngaqë jeta vetjake në thelb është relativisht e mirësiguruar, e pritshme”, shpjegon nga ana tjetër, Peter Falkai, drejtor i klinikës psikiatrike dhe psikoterapeutike në Universitetin e Munihut.

“Ndjenja se shteti nuk është instanca fundore ku ta mbështesim besimin tonë, është shumë më realiste sesa frika prej kafshimit nga një tigër: bëhet fjalë për rrezikun në instancën tjetër. Ngaqë ata atje lart bëjnë çfarë të duan. Ata bëjnë gjëra të gabuara, e unë nuk kam kurrfarë ndikimi tek ta”, ky është koncepti.

Frika nga humbja e identitetit

Pas frikës nga sulmet kibernetike dhe spiunazhi, fshihet një frikë më e qartë, shumë më e thellë: “Njerëzit kanë frikë se nuk mund të tërhiqen më prapa, se identiteti i tyre ndryshon nëpërmjet internetit ose se mund të çrrënjoset”. Frika e amerikanëve kufizohet jo vetëm në problemet e kësaj bote. Rreth gjysma e tyre u frikësohet fenomeneve mbinatyrore. 41,4 për qind ndajnë pikëpamjen se në vende të caktuara, “anija fut ujë”. Çdo një në pesë vetë në SHBA, beson se dikur alienët kanë qenë mysafirë në Tokë dhe 26,5 për qind e amerikanëve, se një bisedë me të vdekurit është e mundur.

Me sistemet e sigurisë kundër frikës

Falkai e përshkruan këtë si një “variancë normale të qenies njerëzore”. Për drejtorin e klinikës, kjo gjë tashmë është e qartë: “Ka frika të moçme njerëzore në secilin prej nesh. Kalimet në besime e shpirtra janë shpesh kalimtare”. Amerikanët kanë qasje të ndryshme për t’u përballur e trajtuar me frikën. Sidoqoftë, dhjetë për qind pohojnë se kanë blerë një armë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/10-gjerat-qe-amerikanet-ua-kane-me-shume-friken/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala