10 gjëra që nuk dini mbi varferinë

Autori:Avdyl Pajaziti

Sa janë të varfërit në botë? Ç’kuptohet me “varfëri ekstreme”? Dhe mbi të gjitha, varfëria është e pashmangshme apo mund të eliminohet?

3 miliard njerëz në botë jetojnë me 2.5 dollarë në ditë (1,8 euro). Duket e pamundur por është pikërisht kështu. Madje nuk janë as më të “pafatët”: shifra më impresionuese dalin në atë që Abhijit Banerjee dhe Esther Duflo, dy ekonomistë të MIT në Boston e kanë definuar si ekonomia e varfërisë.

1. Uji, një e mirë e shtrenjtë. Më tepër se një miliard njerëz nuk kanë akses të mjaftueshëm tek uji i pijshëm ku 400 milionë prej tyre janë fëmijë.

2. Fëmijët janë më të varfërit. Në 2.2 miliard fëmijë në botë, rreth gjysma e tyre, pra 1 miliard jetojnë në varfëri. Sipas UNICEF 22.000 fëmijë vdesin çdo ditë për shkak të varfërisë. Në vitin 2011, 165 milionë fëmijë nën 5 vjeç ishin të pazhvilluar mirë për shkak të kequshqyerjes kronike.

3. Të pasur dhe të varfër. 300 njerëzit më të pasur në botë zotërojnë pasurinë e 3 miliard më të varfërve.

4. Analfabetizmi. Në botë të paktën 1 miliard njerëz janë totalisht analfabet, të paaftë për të shkruar edhe vetë emrin e tyre.

5. Uria. 870 milionë njerëz vuajnë nga uria, pra nuk kanë ushqim të mjaftueshëm për t’u ushqyer. Prej tyre 852 milionë jetojnë në vendet në zhvillim dhe 16 milion në vendet e zhvilluara. Në 1990 ishin 1 miliard. Duke patur parasysh rritjen e popullsisë botërore, dimë që numri i personave të paushqyer ka rënë me 30% në Azi dhe në Paqësor (nga 739 në 563 milion), kryesisht për shkak të zhvillimit të vendeve të kësaj zone si rasti i Kinës. Edhe Amerika Latine dhe Karaibet ka bërë progres, duke kaluar nga 65 milion të uritur në vitin 1990-1992 në 49 milion në 2010-2012. Në Afrikë ndërkohë numri i të uriturve është rritur duke kaluar nga 175 milionë në 239 milionë, me rezultatin që një banor në katër në kontinentin afrikan vuan nga uria. Kjo situatë është e tillë edhe kur prodhimi bujqësor në botë është i mjaftueshëm për të ushqyer çdo njeri të planetit me një dietë prej 2720 kalori.

6. Zgjidhja e afërme. Është llogaritur që të ofrosh arsim bazë, ujë të pijshëm dhe shërbime higjeno-sanitare, shëndetin bazë dhe ushqyerje të përshtatshme për banorët e vendeve në zhvillim do kishte një kosto prej 30 miliard euro. Ekonomistë të ndryshëm ndërkohë mendojnë se të investosh në agrikulturë është mënyra më efikase për të ulur varfërinë.

7. Varfëria ekstreme Në varfëri ekziston edhe një formë tjetër më e rëndë, e ashtuquajtura “varfëri ekstreme” ku futen njerëzit që jetojnë me më pak se 1.25 dollarë në ditë: janë në total 1.4 miliard njerëz në botë (nga të cilët 75% janë femra). Sipas Bankës Botërore shteti më i varfër në botë është Haiti, ku më tepër se gjysma e popullsisë (më tepër se 10 milionë banorë) jeton me më pak se 1$ në ditë, ndërsa 80% e shtetit jeton me më pak se 2$ në ditë.

8. Një lajm i mirë Varfëria ekstreme nuk është e pashmangshme. Nga 1990 deri më sot 1 miliard njerëz kanë dalë nga varfëria. Rënia e nivelit të varfërisë është rezultat i rritjes ekonomike, mjafton të mendohen ekonomitë si e Kinës, Indisë, Brazilit etj ku më tepër se 680 milionë njerëz kanë dalë nga varfëria ekstreme në periudhën 1981 – 2001.

9. Shpresa për të ardhmen. Banka Botërore tregohet optimiste që varfëria ekstreme do të ç’rrënjoset brenda vitit 2030. Megjithatë, sipas disa ekonomistëve, arritja e këtij qëllimi ambicioz ka disa pikëpyetje, ka paqartësi se çfarë programesh ekzaktësisht do të ndërrmarë Banka Botërore.

10. Rrethi vicioz i varfërisë Varfëria është arsyeja kryesore e urisë. Është uria që ul nivelin e energjisë dhe shëndetin. Kjo pengon një njeri të punojë dhe gjejë ushqimin duke krijuar një rreth vicioz tepër të vështirë për të dalë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/10-gjera-qe-nuk-dini-mbi-varferine/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala