10 gabimet që s’duhet bërë gjatë pushimeve dimërore

Autori:Avdyl Pajaziti

Nuk ka rëndësi nëse po udhëtoni në një vend të largët për të vizituar familjen apo nëse po ia mbathni në një ishull tropikal për të lënë pas temperaturat e dimrit, udhëtimet e dimrit janë të zakonshme dhe të përhershme.

Ja cilat janë 10 gabimet që duhet të shmangni në pushimet e dimrit.

1. Prenotimi me vonesë

Prenotimi i udhëtimit mund të jetë një balancë delikate midis pritjes për oferta dhe pagesës së një kostoje shtesë për ndenjësen e vetme të mbetur në avion. Por udhëtarët që shpresojnë të marrin oferta të minutës së fundit nga linjat ajrore gjatë pushimeve kanë më tepër gjasa të gjejnë vende të parehatshme në udhëtim ose fluturime që kanë shumë ndalesa dhe që nuk i përmbahen axhendës.

Sa më gjatë që një klient pret për të blerë biletat, jo vetëm që ul gjasat e kapjes së një çmimi të arsyeshëm, por gjithashtu i kufizohen mundësitë dhe itineraret e dëshiruara. Kjo rrit mundësinë e një çmimi të lartë dhe ul gjasat që të shijoni fluturimin.

Bazuar në të dhënat e vitit 2014, udhëtimet dimërore të prenotuara që në shtator paguanin nga 20 deri në 50 për qind më pak sesa prenotimet më vonë se nëntori.

2. Prenotimi i hershëm

Megjithatë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për hotelet. Në fakt nuk duhet të prenotoni më shpejt se 21 ditë përpara qëndrimit tuaj. uebjsati Stayful, i cili i lejon udhëtarët të bëjnë një ankand mbi dhomat e zbrazëta, funksionon sipas parimit se hotelet preferojnë norma më të ulëta për dhomat boshe dhe nuk lejojnë përdoruesit të prenotojnë më parë se 30 ditë nga qëndrimi.

Njerëzit preferojnë të prenotojnë planet e tyre të qëndrimit shumë përpara, gjë që ndonjëherë çon në kosto ekstra, pasi ata nuk marrin zbritjet.

3. Të qenët joelastikë

Pushimet e verës mund t’i prenotoni një javë më parë ose më vonë, gjë që nuk bën ndonjë diferencë të madhe, por kur vjen puna te pushimet e dimrit ka më pak fleksibilitet. Megjithatë, meqenëse shumica e njerëzve janë shumë joelastikë në ditët kryesore të pushimeve dimërore si Krishtlindjet dhe Viti i Ri, ata humbasin mundësi të kapin ofertat e fundit të atyre ditëve. Krijojini vetes hapësirën kohore që të keni lirshmëri në manipulimin e datave, fluturimeve, aeroporteve në ikje dhe në kthim për të reduktuar çmimin që do të paguani.

4. Humbja e kohës me ofertën ideale

Kushdo ëndërron për ato ofertat nën 50 dollarë dhe fluturimet nga një vend në një tjetër për më pak para. Mos lejoni që këto tarifa t’ju gënjejnë, pasi ato ekzistojnë shumë rrallë. Duhet të keni një plan udhëtimi në lidhje me fluturimet, në vend që të përfundoni me tarifa të shtrenjta vetëm për shkak të shpresave të kota. Duhet të dini se tarifat e fluturimeve rriten me rreth 5 dollarë dita afër festave të fundvitit.

5. Vonesat në blerje

Mos lejoni që një çmim i arsyeshëm t’ju ikë nga duart me idenë se do të vazhdojë të ulet. Edhe nëse nuk jeni shumë të sigurt rreth prenotimit të një udhëtimi, bëjeni pasi shumica e kompanive ajrore lejojnë që të anuloni blerjen duke iu kthyer plotësisht paratë. Mos hamendësoni se do të mbetet në vend, por rrëmbejeni sapo të keni mundësi.

 

6. Shpenzimet e shumta

Periudha e pushimeve dimërore mund t’ju bëjë ta humbni toruan dhe të mos llogarisni mirë se sa keni shpenzuar. Në këtë rast, kini parasysh se sa herë jeni larg shtëpisë dhe keni shumë kohë të lirë po kryeni shpenzime më tepër se normalja. Përpara se të shkoni me pushime dimërore këtë vit planifikoni një buxhet udhëtimi që të mbanin nën kontroll paratë.

7. Përdorimi i kartës së kreditit

Kurdo që të jetë e mundur, përdorni para në dorë në vend të kartës së kreditit. Ndonëse është e zakonshme që në pushime të paguani edhe me kartë për shkak se mbase nuk i mbuloni dot të gjitha shpenzimet pa kaluar në minus në kartë është më mirë që të mos hyni në borxhe. Po ashtu, duke paguar kesh shmangni dhe komisionet e kartave.

8. Roaming

Nëse po udhëtoni jashtë shtetit, kostot surprizë të telefonatave mund t’jua shtojnë vlerën e pushimeve dimërore. Zakonisht një minutë jashtë shtetit kushton 2.50 dollarë dhe një megabajt internet rreth 20 dollarë. Gjeni mënyra të tjera komunikimi ose lajmëroni për mungesën tuaj në mënyrë që të shpëtoni nga pagesa për roaming.

9. Bagazhet e shumta

Llogaritini mirë rrobat që do t’ju duhen me vete dhe mos u ngarkoni me bagazhe të tepërta. Sa më pak të merrni aq më mirë. Po ashtu, njohja e mjedisit ku po shkoni ju ndihmon shumë në lidhje me artikujt shtesë si peshqirët.

10. Llogaritja e keqe e kostove

Mos lejoni që pushimet tuaja të shkatërrohen nga kostot e vogla shtesë të cilat kur mblidhen bëjnë një shumë të konsiderueshme të cilën ju nuk e kishit marrë me mend. Llogariteni mirë se sa para do t’ju duhen dhe cilat do të jenë shpenzimet kryesore dhe dytësore që do të bëni. *Burimi: Revista Time.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/10-gabimet-qe-sduhet-bere-gjate-pushimeve-dimerore/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala