Vetëvendosje e përjashton edhe dialogun me Qeverinë

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Driton Çaushi e ka përjashtuar dialogun me Qeverinë.
Ka thënë se mundësia për t’u ulur bashkë me Thaçin e Mustafën ka përfunduar shumë më herët. Sipas tij, pas situatës së krijuar, një mundësi e dialogut pozitë-opozitë nuk është as reale.
“Mundësia për t’u ulur bashkë ka përfunduar shumë më herët. Është paksa e pamundur që liderët e tillë politik siç janë Mustafa e Thaçi, që kanë pranuar të nënshkruajnë marrëveshje kaq të dëmshme për Kosovën të ulen për një kompromis me liderët e opozitës. Natyrisht që do të ishte ideale sikur të ekzistonte një mundësi e tillë por besoj nëse e kuptojmë situatën në të cilën gjendemi marrëveshjet që janë nënshkruar, një mundësi e tillë nuk është reale”, ka thënë Çaushi, për Kosovapress.
Ndërkohë, AAK dhe NISMA e kanë përkrahur idenë e dialogut me Qeverinë me kusht që të tërhiqet nënshkrimi nga marrëveshjet e arritura me Serbinë e Malin e Zi.
Edhe Kryeministri Mustafa ka shprehur gatishmëri për dialog në Kuvend dhe në ndonjë tryezë. Por, edhe zyrtarët e Qeverisë e kanë mohuar mundësinë e tërheqjes nga nënshkrimet e marrëveshjeve me dy shtete fqinjë.