Mbi gjysmë milioni euro për heqjen e borës, a do t’ia dalë këtë dimër Shpend Ahmeti?

Komuna e Prishtinës, që drejtohet nga Shpend Ahmeti i VV’së, ka vendosur t’i shpenzojë 542 mijë euro për ta hequr borën këtë dimër nëpër rrugët e kryeqytetit. Punën edhe këtë herë ua ka besuar thuajse të njëjtave kompani që i ka kontraktuar vitin e kaluar, në të cilin edhe ka pasur edhe kritika për pastrim. A do ta befasojë edhe këtë herë bora Ahmetin?
Pastrimi dhe mirëmbajtja e rrugëve të kryeqytetit u ka sjellë çdo herë telashe drejtuesve të Komunës së Prishtinës. Kritika për këtë ka pasur edhe gjatë vitit të kaluar, ku shumë rrugë e trotuare patën mbetur të mbuluara nga bora.
Por, cila do të jetë situata këtë vit, mbetet të shihet.
E derisa tani me veç priten reshjet e para të borës, komuna e Prishtinës ka kryer edhe procedurat tenderuese.
Këtë vit, sipas njoftimit në KRPP, komuna e Prishtinës ka përzgjedhur 6 kompani për mirëmbajte të rrugëve dhe trotuareve. Derisa, vlera e krejt kësaj punë kap shumën e 542 mijë eurove, shkruan Gazeta Express.
Tenderi “Mirëmbajtja dimërore e rrugëve dhe trotuareve të qytetit” këtë herë është ndarë në gjashtë pjesë.
Kompanitë fituese janë “Dardania” , “Toifor”, “VZ Company”, “Ve mor”, “Pastrimi” dhe “Niti” &”Ledi Ing”. “Pjesa e I-rë “Dardania” 76,128.69 €. Pjesa e II-të “Toifor” 91,747.12 €. Pjesa e III-të, VZ Company” 108,068.64 €. Pjesa e IV-të, “Ve mor” 66,486.22 €. Pjesa e V-të, “Pastrimi” 103,204.10 €. Pjesa e VI-të, “Niti” &”Ledi Ing” 95,827.31 €”, thuhet në njoftimin e KRPP-së.
Komuna e Prishtinës dhe kompanitë fituese kontratën do ta nënshkruajnë më 16/11/2015.
Ndryshe, Komuna vitin e kaluar pati përzgjedhur katër kompani për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë sezonit dimëror. Kompanitë përgjegjëse për mirëmbajtjen e rrugëve në kryeqytet janë ‘Zahiri’, ‘Toifor’, ‘Euro Partners’dhe Alko Impex’.
Këto kompani ishin të kontraktuara t’i mirëmbajnë gjithsej 310 rrugë të qytetit. Ndërsa, për mirëmbajtjen e rrugëve në viset rurale të Komunës së Prishtinës, janë të kontraktuara dy kompani, ‘VZ kompani’ dhe ‘Dardania”.