​Kosovarët solidarizohen me popullin francez, ndezin qirinj për të vrarët (Foto)

Autori:Avdyl Pajaziti

Pas sulmeve terroriste që ndodhën mbrëmë në Paris edhe qytetarët e Kosovës po shprehin solidarizim me parisienët, të cilët vazhdojnë të përjetojnë ethet e terrorit që përjetuan mbrëmë.

Një grup qytetarësh nga Prishtina kanë dalë mesditën e sotme në sheshin Skënderbeu në kryeqytet, për të ndezur qirinj në shenjë dhimbje për viktimat e mbrëmshme, duke treguar solidarizim me popullin francez.

Përmes këtij veprimi, qytetarët thanë se ata nuk e pranojnë që këto sulme të bëhen në emër të çfarëdo ideologjie, pasi një gjë e tillë është akt terrorist që ka prekur formën tonë të jetuarit dhe lirinë tonë personale.

Njëri nga iniciatorët e këtij aktiviteti simbolik, Visar Berisha, tha se përmes këtij veprimi ata po shprehin dhimbjen për të gjithë ato viktima të humbura gjatë natës së mbrëmshme në mënyrën më mizore të mundshme.

“Këtu jemi një grup miqsh që shpejt e shpejt e organizuam përmes rrjetit social ‘Facebook’, për të shprehur dhimbjen tonë për të gjitha ato që i kemi parë mbrëmë në Parisë, për të gjitha ato viktima të pafajshme që ranë mbrëmë në Paris në mënyrë më makabre duke zhvilluar jetën e vet qoftë kulturore, sportive, po ashtu është një shenjë proteste këtu prej të gjithë nesh për shkak të sulmit që i është bërë mënyrës sonë të jetesës. Është një dëshirë për të prekur në formën tonë të të jetuarit, që mendoj që është një prej lirive tona themelore dhe jemi mbledhur këtu për të shprehur këtë far pezmi tonë se liria e secilit prej nesh dhe forma të cilën kemi zgjedhur të jetojmë nuk mund të preket edhe nëse shkohet mbi jetën tona”, tha Berisha.

Ndërsa, Besa Luzha nga shoqëria civile tha se ata po ndihen tepër të shqetësuar për ata çfarë ka ndodhur në Paris, duke i krahasuar këto sulme me ato çfarë i ka kaluar populli i Kosovës gjatë luftës së fundit.

“Në radhë të parë si qytetarë jemi shumë të shqetësuar për këtë çfarë ka ndodhur. Ne me të vërtet jemi larg dhe një vendi i vogël, por ne e kemi përjetuar gjëra të tmerrshme që i ka ndodhur popullit tonë dhe kush më mirë se ne mund ta dijë se çfarë do të thotë të çrregullohet jeta papritmas me ardhur dikush të ta dhunojë lirinë që e ke. Kjo dhunë që është bërë te ne në një kontekst tjetër dhe në Parisë në një tjetër, vetëm na bën të mendojmë se sa të pasigurt jemi tash. Kjo nuk është luftë që fitohet me armata, me sulme e bombardime ajrore, kjo është një luftë shumë e rrezikshme, sepse çdo individ në një farë mënyrë i asaj ideologjie po tenton që me një vetëvrasje të marr edhe 200 apo 300 njerëz me vete”, tha Luzha.

Në fund ata përcollën mesazhin se të gjithë qytetarët, së bashku edhe me krerët më të lartë të shtetit, duhet të gjejnë mënyra dhe forma që të kthejnë vëmendjen e njerëzimit për paqe dhe liri kudo në botë.

/telegrafi/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/%e2%80%8bkosovaret-solidarizohen-me-popullin-francez-ndezin-qirinj-per-te-vraret-foto/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala