​Biznesmenët përfitues të TVSH-së, dëmtohen qytetarët

Autori:Gazeta Fjala

Pakoja e re fiskale me hyrjen e Ligjit në fuqi të TVSH-së nga Qeveria e Kosovës, nuk po ka dobi për popullin e Kosovës.

Nga rritja e TVSH-së përfitues po dalin biznesmenët të cilët po e shfrytëzojnë këtë situatë.

Çmimet e produkteve nëpër marketet kosovare nuk po vërehet, përveç çmimit të bukës i cili ka rënë në 20 centë, e sa i përket rrymës ata thonë se mbetet të shihet kur të marrin faturat.

Ky Ligj i TVSH-së sipas qytetarëve është e vështirë për t’u përballuar pasi që rrogat janë të ulëta, e çmimet e larta.

Disa të tjerë thonë se Qeveria duhet të inspektojë më shumë marketet pasi që në disa prej tyre, e sidomos nëpër fshatra TVSH-ja nuk përfillet aspak ku përmes kësaj po bëhet, siç thonë ata vjedhje e qytetarëve.

Nga rritja e TVSH-së sipas një qytetari i cili është prezantuar me emrin Safet vetëm 30 përqind e popullit mund të dëmtohet, kurse 70 përqind të popullatës nuk dëmtohet nga kjo dhe nuk ndikon në standardin jetësor të tyre.

 

“Për disa produkte është rritur mirëpo kryesisht për ato elementare është zvogëluar dhe kjo është në dobi të popullatës në përgjithësi në Kosovë… Deri diku ndikon drejtpërdrejt në standardin jetësor të popullatës. Në përgjithësi mbi 70 për qind të popullatës nuk e dëmton, ndoshta 30 për qind mundet diçka të ndikoj. Meqenëse nuk kam dalë nëpër markete për me shiqu drejtpërdrejt kështu që nuk kam diçka konkretet”, tha Safeti.

E për qytetarin Burim Arifi, 2 përqind e rritjes nuk është as rritje e madhe e as zvogëlim. Ai tha se në biznesin e tij nuk ka ndryshuar asgjë, as për mirë e as për keq.

 

“Nuk jam marrë shumë me këtë farë çështje, nuk i kam kqyr, nuk jam marrë me to. Me dëgju kam dëgju se është rrit 18 përqind, prej 16 përqind, e di që është zvoglu disa gjëra tjera ushqimore, po nuk është që jam marrë shumë me to. Nuk e di, shpresoj që të ndikojë mire. Për mu në biznes nuk është që ka ndiku keq e as nuk është që ka ndiku mirë. 2 përqind nuk është as rritje e madhe as zvogëlim”, th Arifi.

Se sa e prek buxhetin e qytetarëve, njëri nga qytetarët thotë se nëse blihen barna atëherë preket buxheti , kurse për rrymën dhe gjërat esenciale kjo vetëm se do të lehtësojë xhepin e tyre.

Sa e prek buxhetin e qytetarëve varet tash se blejnë barna, nëse blejnë barna e prek buxhetin e qytetarëve, por në anën tjetër nëse konsumojnë rrymë, ose konsumojnë këtë pjesën e komunalive atëherë e pshton xhepin e konsumatorit ma merr mendja…Nuk i kam vënë re se a ka pas ndryshime në çmime”, thotë qytetari që nuk ka dashur që të tregojë emrin e tij.

Për Muhaz Stubllën, ulja e çmimit të produkteve primare është e mirë. Ai tha se çmimi i bukës veç se ka rënë në 20 centë, e për rritjen e çmimeve për gjërat luks ai thotë se është e mirë. Por Stublla tha se përfituesit më të mëdhenj të rritjes së TVSH-së janë firmat e mëdha, por ai shpresën e mbanë tek inspektorët.

 

“TVSH-ja po ma merr mendja që ka me ndiku në të ardhmen diçka për produkte përqind është rrit TVSH, për bukë ma merr mendja që ka me ndiku, e që janë primare, buka,kosi jogurti. Për tjerat s’po ma merr mendja këto janë veç në rritje 18 përqind është rrit TVSH-ja e për bukë ma merr mendja që ka me ndiku(…)Për bukën veç ka ra 20 centë kështu që ajo është kryesorja, për tjerat normal luksi duhet me u llogarit si gjithkund nà «për vendet evropiane, po dojna Evropë duhet kështu. Kur t’ia nisesh me kshyr plus-minusin gjithçka ka me kanë barabartë sikur përpara. Ma merr mendja që këto firmat e mëdha kanë me shfrytëzu rastin, për shembull TVSH-ja 2 përqind 1 euro i bien diku 2 centë, e këta në momentin që ka livrit TVSH-ja, jo një cent e dy cent po diku 20 centë e hup imazhin, kjo është pak pa rregull, ndoshta ka inspektorë të cilët e inspektojnë këtë punë”, tha Stublla.

Halit Zeqiri pensionit nga Prishtina, thotë se për të nuk ka ndikuar as pozitivisht e as negativisht. Ai tha se nuk ka ndikuar për të mirën e popullit, por për të mirën e biznesmenëve të mëdhenj. Haliti tha se çmimet në markete nuk mund të ndryshohen, por mbetet të shihet në faturat e rrymës.

 

“Nuk merrna me kurrfarë biznese, unë e kam pensioni n tim, për mua nuk ka ndiku as pozitivisht, e as negativisht… Nuk di çka të them, nuk ka ndiku në të mirën e popullit, ajo ka ndiku në ata biznesmenët e mëdhenj e jo në raste sociale, në raste sociale ndikon 1 euro, kurse te ata biznesmenët e mëdhenj ndikon. Përsëri fitimi i madh është te ata, e jo te populli. Nuk kam pa asgjë, asgjë n’dyje, në minimarket nuk mundesh me ndryshu, e sa i përket rrymës të shohim nuk kanë ardhë faturat ende”, tha Zeqiri.

Për Riza Krasniqin nga fshati Çabiq i Klinës, gjithçka po shkruhet por asgjë nuk po realizohet. Ai tha se ndryshimi i çmimeve diku po respektohet e diku jo. Ai tha se me TVSH po bëhet vjedhje e madhe, e për këtë ai kërkoi që të inspektohen më shumë marketet nëpër fshatra, pasi që aty me çmimet po bëhet gjithçka sipas dëshirës.

 

“Çka me fol për këto TVSH-ja, çka shkruhet nuk po realizohet. Bash një ditë e kshyra artikullin 16 përqind, e pin një kafe 50 centë, 16 centë ia lanë TVSH-së. As ndryshimi i çmimeve, as ndryshimi i TVSH-së pak ndihet në popull. Te marketet përfillet, dikush nuk të lëshon pa etiketë, e dikush ka qef me ia lënë aty. Populli nuk është vetëdijesu ende se nuk është mirë se na duhet me punu për shtet, mos me ia marrë punon për shitësin…Nëpër shitoret nëpër fshatrat nuk i kontrollon askush, bëjnë çfarë dojnë, shesin, kurrfarë etikete nuk të japin, këto me i kontrollu më tepër, me pas një inspeksion që i kontrollon ndonjëherë nëpër qytete se hajni e madhe po bëhet nëpërmjet TVSH-së”, tha Krasniqi.

Pako e re fiskale me ndryshime ka hyrë në fuqi më 1 shtator. Në këtë Ligj përfshihet premtimi për ulje të TVSH-së, për produktet esenciale, për shtresat sociale nga 16 përqind në 8 përqind në produktet si buka, uji, vaji, kripa, sheqeri etj.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/%e2%80%8bbiznesmenet-perfitues-te-tvsh-se-demtohen-qytetaret/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala