​ Ngritet aktakuzë kundër Enver Hasanit

Autori:Gazeta Fjala

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër Enver Hasani ish-kryetarit të Gjukatës Kushtetuese.

Sipas kësaj aktakuze Hasani dushohet per për kryerjen e veprave penale, falsifikimi i dokumentit zyrtar, dhe keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar. Por janë pushuar hetimet për një vepër penale, për të cilën ka qenë duke u hetuar, raporton Gazeta Fjala.

“I pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar me rastin e vendosjes për kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke vepruar  në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tre persona”, shkruan në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
“Gjithashtu, i pandehuri Hasani, me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmë i, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari, si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje”.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit. /Gazeta Fjala

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: https://gazetafjala.com/%e2%80%8b-ngritet-aktakuze-kunder-enver-hasanit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala