Zhbogar: Zgjidhja për gjyqësorin, më e rëndësishme se bisedimet me BE-në

Autori:Gazeta Fjala

Samuel-Zbogar-vo-Prilep-1

Ambasadori i Bashkimit Evropian (BE) në Shkup, Samuel Zhbogar ka kërkuar nga partitë politike që të arrijnë marrëveshje për ligjin e Prokurorisë Speciale, duke e vlerësuar madje si më të rëndësishëm se sa marrja e datës për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Zhbogar konsideron se politikanët duhet të angazhohen për kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin gjyqësor.

“Vlerësoj se arritja e një zgjidhjeje për një gjyqësor funksional është shumë më e rëndësishme se data e fillimit të negociatave me BE-në. Vlerësoj se pikërisht në këtë segment palët duhet të përqendrohen. Nëse rikthehet besimi, jam i sigurt se ne në BE do ta vërejmë këtë ndryshim”, ka deklaruar ambasadori i BE-së.

Sa i përket pritjeve të institucioneve për marrjen e datës në tetor, Zhbogar tha se ka ende kohë për këtë, dhe se kjo periudhë duhet të shfrytëzohet në përmirësimin e gjendjes në gjyqësor duke gjetur zgjidhje për Prokurorinë Speciale, por edhe për zbardhjen e rastit “Reket”.

“Ne duam të shohim se çfarë do të ndodhë me rastet që përfshijnë ish- zyrtarët. Zgjidhja nuk është arritur ende. U bëj thirrje dy partive politike të vazhdojnë përpjekjet e tyre për të arritur një konsensus për këtë çështje”, ka deklaruar ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Samuel Zhbogar.

Kryeministri Zoran Zaev dhe lideri i opozitës, Hristijan Mickovski të mërkurën janë takuar, por nuk kanë arritur marrëveshje lidhur me ligjin e Prokurorisë.

Opozita kërkon që me ligjin e ri të mbyllen lëndet që ka ngritur Prokuroria Speciale pas skadimit të mandatit të saj më 1 qershor të vitit të kaluar, por kjo kërkesë nga Zaevi është vlerësuar si përpjekje e opozitës për të amnistuar zyrtarët e saj të akuzuar për shpërdorim të detyrës gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit./rel

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/zhbogar-zgjidhja-per-gjyqesorin-me-e-rendesishme-se-bisedimet-me-be-ne/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala