Zgjedhjet mund t’i humb, por jo vëllanë

Autori:Gazeta Fjala

51709928-650x358

Vendimi i ish-presidentit George W. Bush, për të sulmuar Irakun, me dyshimin se kishte armë të shkatërrimit në masë, të cilat nuk u gjetën kurrë, po i shkakton “dhembje koke” vëllait të tij, Jeb Bush, i cili është njëri nga kandidatët e republikanëve për nominim për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Në deklaratën e tij të katërtën apo të pestën brenda pak ditësh, guvernatori i Floridas, Bush, tha se pyetja “nëse ka gabuar apo jo vëllai im kur mori vendimin për të sulmuar Irakun në vitin 2003, është pyetje hipotetike”.

“Unë nuk do të shkoj jashtë drejtimit tim, për të thënë se vëllai im në këtë ka gabuar. Kjo nuk do të ndodhë. Unë mund të them se duke e ditur atë që ne e dimë tash, unë nuk do të isha angazhuar, nuk do të kisha hyrë në Irak”, ka thënë Jeb Bush, njofton CNN, raporton lajmi.net.

Shumica e rivalëve të kandidatit Bush në garën për nominim nga Partia Republikane, e kanë quajtur të gabuar vendimin për luftë në Irak, edhe pse shumica e tyre e kishin mbështetur asokohe ish-presidentin  Bush.

Bush, një ditë më parë, argumentoi po ashtu se pushtimi i Irakut, siç tha ai ndoshta i frymëzuar edhe nga inteligjenca e gabuar, kishte qenë i dobishëm, pasi sipas tij, bota ishte në mënyrë të konsiderueshme më e sigurt pa Sadam Husein në pushtet.

Diskutimi përreth luftës në Irak ka evoluar pas përfshirjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në luftën kundër ISIS-it dhe jostabilitetit më të gjerë sektar, politik dhe ekonomik në Irak.

“Kur ne u larguam, Iraku ishte më i qetë, Al Qaeda u dobësua dukshëm, porse vendi kishte një sistem të brishtë që të eliminonte dhunën sektare në tersi”, tha Jeb Bush, duke fajësuar politikën e administratës së presidentit aktual, Barack Obama për rritjen e ISIS-it, dhe jo vëllanë e tij. /lajmi.net/

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/zgjedhjet-mund-ti-humb-por-jo-vellane/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala