Yom HaShoah

Autori:Votim Demiri

holocaust

Në përkujtim të familjes time dhe të gjithë atyre që humbën jetën në Holokaust.

Në janar të vitit 2005, OKB-ja caktoi 27 janarin si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, në kujtim të viktimave të Holokaustit para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur miliona qytetarë europianë, përfshirë gjashtë milionë hebrenj u asgjësuan.

Republika e Kosovës, edhe pse ende nuk është anëtare e OKB-së, çdo vit i kushton vëmendje dhe respekt për Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, duke dërguar shkrime dhe fotografi në mediat sociale për të kujtuar viktimat.

Historia na ka mësuar se ajo që fillon me fjalë dhe incidente sporadike, shpesh mund të çojë në masakra dhe madje edhe në gjenocid. Holokausti ishte persekutimi sistematik, burokratik, i sponsorizuar nga shteti dhe vrasja e 6 milion hebrenjve nga regjimi nazist. Holokausti edhe pas më shumë se 70 vjetësh është e vështirë të përfytyrohet, çfarë u është bërë judenjve nuk ka emër dhe as nuk mund të përshkruhet.

Në një kohë kur Evropa po lulëzonte me komunitetet e saja hebraike, per nje moment u vendos që të mos ekzistojnë. U vendos që familja ime të mos ekzistoje. Dhe ata dogjën një kulturë, nje mendim, nje kreativitet, nje talent, ata dogjën popullin që ndryshoi botën.

Nga Predikuesi: “Ka një kohë për heshtje dhe një kohë për të folur” ishin fjalët e mbretit Solomon. Shoah është dita kur ne bëjmë të dyja në të njëjtën kohë.

Pra, sot, është dita kur ne:

– Përkujtojmë të gjithë ata që humbën jetën gjatë Holokaustit

– Është dita kur mbajmë zi, eshte dita kur përkulim kokën

– Është dita kur bashkëndiejmë, se çfarë kanë kaluar

– Është dita kur kujtojmë dhe nderojmë ata që rrezikuan jetën e tyre për të shpëtuar hebrenjtë. “Njerëzit e Drejtë”, ata njerëz trima

– Dhe është dita për të mësuar mësime dhe ka shume për t’u mësuar. Këto janë mësimet universale të Holokaustit.

Një nga mësimet kryesore që duhet të mësohet nga Holokausti është nevoja për të mbrojtur dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut të të gjithë njerëzve, kudo që të jenë, pa marrë parasysh besimin, përkatësinë etnike, gjininë apo bindjet politike. Së dyti, ne kemi detyrimin dhe përgjegjësinë për të kujtuar holokaustin, kemi arsyeshmërinë për të parandaluar, sepse rreziku i heshtjes dhe pasojat e indiferencës çon në gjenocid dhe është përgjegjësia jonë dhe detyra morale për të edukuar gjeneratat e reja, të cilat do të parandalojnë veprime të tilla tmerri nga përsëritja në të ardhmen.

Në këtë ditë shumë të rëndësishme për botën hebreje, një ditë plot memorie të dhimbshme dhe njëkohësisht është një ditë që e bën çdo hebre krenar, është rekomandimi im për institucionet e Kosovës që të përfshijnë mësimin për holokaustin për brezat e rinj.

Prania e hebrenjve në territoret e Kosovës daton që nga shekulli XV, pas inkuzicionit të Spanjës dhe Portugalisë. Gjatë viteve ata ndërtuan një jetë të organizuar, kishin shkollën e tyre (Yeshiva), komunën e tyre, sinagogat që mbijetuan në periudhën osmane, por u shkatërruan nga regjimi komunist në vitin 1963, varrezat dhe pronat e tyre private. Deri në vitin 1943 familja ime nuk përjetoi asnjë tragjedi.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Nobelisti Elie Wiesel tha “jo të gjitha viktimat ishin hebrenj por të gjithë hebrenjtë ishin viktima”. Në këtë kohë territoret e Kosovës u pushtuan nga italianët, por pas kapitullimit të Italisë më 1943 dhe me ardhjen e gjermanëve, 258 hebrenj u deportuan në kampin e përqendrimit nazist Bergen-Belsen ku 92 hebrenj humbën jetën e tyre. Është ironia e jetës që listën e saktë me emrat, mbiemrat dhe datat e lindjes e kemi pranuar nga Qendra Përkujtimore e Bergen Belsenit. Me krijimin e shtetit të Izraelit, shumë anëtarë të komunitetit hebre, përfshirë edhe të mbijetuarit e Holokaustit, u larguan nga Kosova për në Izrael.

Kampi i përqendrimit Bergen-Belsen u krijua në pranverën e vitit 1943 dhe u çlirua nga ushtria britanike më 15 prill 1945. Anne Frank ishte një nga shumë viktimat e Bergen-Belsen-it, ku 52.000 vdiqën nga 120.000 të burgosur. Për fat të mirë, në mesin e atyre që mbijetuan, dhe kanë ndarë mendimet e tyre fisnike për shqiptarët, siç është edhe në dëshminë e nënës sime, Ruth Bahar Demiri, jeta e së cilës u shpëtua nga Gani Demiri dhe tezja ime Yaffa Bahar Reuven, në Yad Vashem, Jeruselam.

 

Nga dëshmia e Yaffa Bahar Reuven:

“Unë u largova nga Prishtina dhe u vendosa në Berat me familjen time. Isha trembëdhjetë vjeç kur gjermanët hynë në Shqipëri. Familja ime gjeti strehë te familjet Shkurti dhe Sfeçi. Ata e dinin që ne ishim hebrenj, dhe na ndihmuan dhe na mbrojtën. Sa herë që gjermanët shfaqeshin në qytet, ata do të na paralajmëronin dhe do të na fshehnin jashtë qytetit derisa të kalonte situata e vështirë dhe pastaj do të na kthenin në shtëpi. Rreziku rritej dhe një ditë gjermanët erdhën në shtëpinë tonë me listën e të gjithë familjes dhe na morën përsëri në Prishtinë dhe prej andej u deportuam  në Bergen – Belsen, ku humba nënën, babanë dhe vëllain tim më të madh.

Nga kujtimet e saj, ajo tregon se kur ata u larguan nga shtëpia e tyre në Prishtinë, ata dhanë një kuti me gjëra personale dhe 2 shofarë (ky është një instrument që përdorin  hebrenjët në Rosh Hashanah dhe Yom Kippur) fqinjëve të tyre shqiptarë në Prishtinë. Pasi mbijetuan, ata e morrën atë kuti përsëri nga fqinjët e tyre shqiptarë në Prishtinë mu ashtu siç e kishin lënë. Ata erdhën në Prizren në këmbë dhe nuk e mbajnë mend se si e kishin bërë atë rrugë.

Nga dëshmia e Ruth Bahar Demiri:

“Unë kam lindur në Prishtinë në vitin 1924 në një familje patriarkale hebreje. Deri në vitin 1943 kam jetuar në Prishtinë dhe në atë kohë rreth 460 hebrenj kanë jetuar në Prishtinë. Sigurisht, ishte kohë e vështirë, menjëherë u shpallëm si njerëz pa të drejta, ishim të shënuar me shirita të verdhë dhe burrat u morën për punë të detyruar. Në atë kohë isha pjesë e lëvizjes së organizatës rinore.

Puna u zhvillua në kushte shumë të vështira dhe zgjati deri në maj 1943, kur u dërguam masivisht në Berat, Shqipëri. Dhe kur Italia kapitulloi, ne të gjithë u fshehëm në pyll, ku qëndruam vetëm për tri ditë dhe pastaj të gjithë u kthyem në Prishtinë në fund të vitit 1943.

Megjithatë, pas arritjes sonë në Prishtinë, gjermanët kishin përgatitur lista të reja për deportim në kampet naziste. Kam vazhduar të punoj me organizatën dhe në një takim të tillë e takova Gani Demirin nga Prizreni. Pastaj më ofroi të strehohesha tek ai, të cilën e pranova.

Në maj të vitit 1944, hebrenjtë u deportuan në kampin Bergen-Belzen, nga ku shumë nuk u kthyen, dhe në mesin e tyre ishte babai, nëna dhe vëllai më i madh. Pjesëtarët e tjerë të familjes, dy vëllezër të tjerë të rinj dhe dy motra, u kthyen pas çlirimit në vitin 1945 dhe sot jetojnë në Izrael.

Pasi hebrenjtë u deportuan në kampin Bergen-Belzen, unë dhe Gani Demiri përmes disa lidhjeve të mira shkuam në Tiranë. Atje përmes lidhjeve te Ganiut  shkuam partizanë dhe u bashkuam me Brigadën e Parë Proletare Shqiptare. Me atë brigadë shkuam në Kosovë dhe fillova të jem pjesë e brigades së katërt në Kosovë. U çmobilova në vitin 1945 në Gjilan.

Rreth 460 hebre jetonin në Prishtinë para luftës, martesat zhivlloheshin në mes të hebrenjve dhe shumë të rralla ishin martesa të përziera. Fëmijët hebrenj shkonin në një shkollë fetare dhe mësuesi ynë ishte Sinjor Ruby. Në të njëjtën klasë kishte djem dhe vajza dhe ne u uleshim nëpër banka prej druri pa mbështetëse. Mësuam shkrim-leximin në hebraisht dhe qëndruam besnik ndaj traditës fetare hebraike.

Hebrenjët në Prishtinë kurrë nuk patën ndonjë konflikt me fqinjët e tyre. Të gjithë ishin në atë kohë qytetarë besnikë dhe silleshin me ndershmëri. Nuk ka asnjë situatë të vetme, ku hebrenjët kanë pasur probleme me anëtarët e ndonjë grupi tjetër etnik “.

Ekzistojnë kaq shumë prova që tregojnë për guximin dhe humanizmin e Shqiptarëve të Kosovës ndaj hebrenjve, por duhet të pranohet që publicistët dhe historianët në Kosovë nuk kanë kontribuar shumë për të hedhur dritë mbi jetën e hebrenjve në Kosovë.

Bashkësia Hebriake e Ksoovës u revitaliuza nga JDC, i cili erdhi në Kosovë më 1999 si një organizatë humanitare dhe përveç ndihmës në ringjalljen e Bashkësië Hebraike te Kosovës, me seli në Prizren, ndihmoi gjithashtu në renovimin e ndërtesave, duke ndihmuar shkollat ​​me mobilje dhe shumë përkrahje të tjera si ishte qëllimi organizatës së tyre për të ndihmuar vendet gjatë kohës së pas luftës.

Vlen të përmendet se shumë hebrenjë të shquar, politikanët, diplomatët dhe intelektualët me origjinë hebraike ishin midis të parëve që avokuan kundër spastrimit etnik në Kosovë. Edhe Shteti i Izraelit mbështeti refugjatët nga Kosova.

Pra, sot Republika e Kosovës dhe shoqëria kosovare është duke i dhënë një rëndësi të veçantë revitalizimit të çështjes së Hebrenjëve në Kosovë. Komuniteti hebraik i Kosovës është një pjesë e pandashme e të gjitha zhvillimeve që ndodhin në Kosovë dhe të cilët me përkushtim kontribuojnë në ndërtimin e një shoqërie tolerante dhe të avancuar demokratike. Ekzistenca jonë në Prizren është një rast i rrallë për të gjithë Kosovën.

Më 2013, me iniciativën e kongresmenit Eliot Engel, Qeveria e Kosovës së bashku me Bashkësinë Hebraike të Kosovës kanë inauguruar një pllakë në kujtim të

hebrenjve që humbën jetën në Holokaust. Pllaka përkujtimore gjendet në oborrin e Qeverisë së Kosovës në vendin e saktë ku dikur qëndronte sinagoga e fundit.

Bashkësia Hebraike e Kosovës,  së bashku me të gjitha komunitetet e tjera fetare ekzistuese, për një kohë të gjatë kanë punuar mbi Ligjin për Liritë Fetare në Kosovë, ku judaizmi është renditur si një nga 5 fetë tradicionale të Kosovës (Bashkësia Islame e Kosovës, Kisha Katolike, Kisha Ortodokse Serbe, Bashkesia Hebraike e Kosovës, Kisha Protestante).

Që nga viti 2013, Bashkësia Hebraike e Kosovës është pranuar si anëtare e plotë e Parlamentit Hebraik Europian, dhe merr pjesë në takimet vjetore të organizuara në vende të ndryshme të Evropës. Ne jemi anëtar vëzhgues në Kongresin hebraik te Euro-Azisë dhe vitin e kaluar me kënaqësi u bëmë anëtar vëzhgues në Kongresin Botëror të Hebrenjve ku morrëm pjesë në takimin global që u mbajt në Nju Jork.

Për të shmangur keqkuptimet brenda shtetit të Kosovës, Bashkësia Hebraike e Kosovës është i vetmi komunitet ligjor i njohur nga Ligji për Liritë Fetare, si dhe i vetmi entitet që është përgjegjës për jetën kulturore dhe trashëgiminë e hebrenjve në Kosovë.

Prandaj, më duhet të theksojë se në traditën 2000 vjeçare të diasporës së Bashkësisë Hebraike, në botë dhe në Izrael, ekzistojnë rregulla se kush mund të përfaqësojë hebrenjtë. Prandaj, të gjitha shoqatat që veprojnë në dobi të Bashkësisë Hebraike të Kosovës dhe në dobi të Republikës së Kosovës janë gjithmonë të mirëpritur.

Bashkësia Hebarike e Kosovës për më shumë se 70 vjet nuk posedon asnjë qendër kulturore dhe po shfrytëzoj rastin për të falënderuar Qeverinë e Kosovës, për dhënien e një ndërtese të tillë për një përdorim afatgjatë si Qendër Kulturore Hebreje në Prizren, të cilin unë e quaj si “Maison d’Amitie”. Por më shumë se një vit ka kaluar që nga vendimi dhe ndërtesa është ende në pritje për rinovim. Rëndësia e kësaj ndërtese nuk është vetëm  për hebrenjtë, por është kryesisht për Kosovën, pasi që do të paraqitet historia e gjatë e hebrenjve në Kosovë, dhe lidhja e pandashme midis hebrenjve dhe shqiptarëve dhe trimëria e tyre për shpëtimin e jetës së hebrenjve.

Në një vend, siç është në Kosovë, larmia e kulturave dhe feve mund të vlerësohet si një pasuri e një vendi. Pra, detyra jonë kryesore nuk është t’i japim fund dialogut e cila është ndërtuar shekuj më parë, dhe kjo për hir të njerëzimit dhe gjeneratat e reja.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/yom-hashoah/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala