Xharra në “partinë që pret duar”

Autori:Gazeta Fjala

arbana xharra

“PDK, partia që pret duar”. Kështu e kishte quajtur Arbana Xharra Partinë Demokratike të Kosovës, ditën kur Margarita Kadriu kishte lënë gazetarinë për tu futur në politikë përkrah Hashim Thaçit.

Kolegia e Xharrës akuzohej se në firmën e saj, vite më parë një punëtor humbi dorën dhe krimi ishte fshehur nga punëdhënësi.

Por, nga e marta Xharra e Kadriu do të jenë në të njëjtën parti politike, të cilën dikur e akuzonin për krime, shantazhe, korrupsion e e bënin përgjegjëse për shumë të këqija që i kanë ndodhur Kosovës, shkruan Gazeta Fjala.

“Të gjithë ata që radhiten në listën e PDK-së për deputet, që kanë rënë në konflikt me ligjin po presin të festojnë sërish, sepse shohin përpara vetes një opozitë, e cila po ashtu është lehtë e shantazhueshme, një shoqëri civile, e cila kur janë në pyetje paratë nuk dallon shumë nga politika”, shkruantë Xharra në një editorial të sajë në vitin 2014.

Sipas sajë krerët e PDK-së janë kontribuuesit e instalimit të frikës në palcë të qytetarëve, të cilët janë bërë dëshmitarë të paradës manipuluese të pushtetit dhe nuk bëjnë zë!

“Tash, na mbetet të shohim se kush e ka radhën të shantazhet, kërcënohet e të shkelet nga “margaritarët e PDK-së”, kur preken interesat e tyre”, thoshte ajo që të martën dha “betimin” para Kadri Veselit, të cilin e etiketonte si njeri të nëntokës.

Në atë kohë, në një intervistë të dhënë për Gazetën Express, Arbana Xharra, vlerëson se “ky estabilishment politik, i udhëhequr keq për shtatë vite nga PDK, meriton dhe duhet të largohet prej qeverisjes së vendit”.

Gazetarja e deritashme nga Gjakova, përveç kësaj tallej me PDK-në, tani të udhëhequr nga Kadri Veseli, shkruan Gazeta Fjala.

“Kur dëgjoi një mik imi se edhe në Gjakovë paska degë të PDK-së, komenti i tij qe shumë i shkurtër: “Mbasi edhe atje paska PDK, s’ka mbetur gjë tjetër veçse të qitet krejt Kosova në tender””.

Por, të martën ajo ka ndryshuar mendje dhe pozitë. Ka lënë gazetarinë për t’iu future politikës në krah të Kadri Veselit.

Më poshtë mund ti lexoni disa nga qëndrimet e Xharrës për PDK-në:

Prill 2016

“Deputet i partisë më të madhe në pushtet, i cili edhe pse mashtrues në Zvicër, partia e tij jo vetëm nuk e ndëshkoj, por  e la deputet dhe i dha mundësinë e zhvillimit të një aktiviteti kriminal. Ky skandal shkon përtej një aksioni policor në kërkim të Azem Syles, ky skandal  i shumës 30 milionëshe është dëshmi e instalimit të rrjetit mafioz nëpër institucionet e Kosovës. Kështu Kuvendi i Kosovës zyrtarisht mund të shpallet çerdhe e krimineleve”.

Maj 2016

“Është turp për Petritin, kozmopolitatin dhe benjaminin e Qeverisë, që rrin komod në një kabinet qeverisës, me ministra që e shërojnë homoseksualizmin me libra të shenjtë. Është turp për të, që i takon një subjekti politik, që ka shkaktuar precedane të rrezikshme politike, duke i futur në Kuvendin e Kosoves, njerëz që për Kryeheroin e shqiptarëve, Skënderbeun, kanë vetëm fjalë të këqija.  Pra, ky ishte kontributi i tij dhe i kësaj qeverie për luftimin e ekstremizimit”,

Dhjetor 2016

“Është për t’u çuditur ç’aftësi ka ky grup mafiozësh në pushtet që prej “fshatarëve të thjeshtë” u shndërruan në superorganizatorë të keqpërdorimit të miliona eurove në formën më të sofistikuar të kohëve moderne.

Kanë nisur me disa tenderë të vegjël për rrugica, me nga një “zadrugë” e një lopatë, u rritën në kompani të mëdha përmes tenderëve milionësh të dhënë nga Qeveria. Gradualisht krijuan monopole, biznese, kompani dhe korporata.

Tani i kanë të gjitha nën kontroll. Me kalimin e viteve, jo vetëm se u qëruan në pamje, u qethën dhe u parfumuan, nisën të mësojnë se si provohen verërat, mësuan se si të krijojnë kompani fantome, të konkurrojnë në privatizime. Nëse tenderi dështonte, ambicia për plaçkitje vetëm rritej. Rruga u mësua: si të mos vidhet më me tenderë, së paku jo në mënyrë massive”.

Shkrut 2017

Arbana Xharra ka reaguar ndaj një deklarate të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, I cili ka thënë se kemi “tensione të emocioneve Ballkanike me fqinjët tonë, por jemi duke punuar shumë për të promovuar pajtimin dhe tolerancën ndërfetare”.

Xharra ka thënë se kjo që ka thënë Veseli është marri e madhe.

Kadri Veseli paska thene se kemi probleme nderfetare me vendet fqinje, kjo i bie qe edhe luften e fundit e kemi pasur fetare. Kjo eshte nje marri e madhe qe i etiketohet Kosoves. Ne nuk kemi pasur kurre probleme fetare me vendet fqinje, eshte ushtruar gjenocid pse kemi qene shqiptare dhe jo pse jemi musliman. Kjo deklarate e juaja qenka botuar edhe ne mediat e huaja. Ti mundesh me u marre me “5 momentet” tuaja, por mos e merre ne qafe nje vend me te paverteta e deklarata kaq te rrezikshme te cilat do te shfrytezohen si karte nga vendet qe kundershtojne shtetin e Kosoves’.

Janar 2013

“Mes të pranishmëve mund të dalloje edhe disa politikanë të PDK-së, të cilët vitet e pushtetit i kanë shpërfytyruar totalisht, sikur janë bërë njerëz tjerë. Sa ishin ne opozitë promovonin vlera dhe thoshin se do të luftojnë korrupsioni. Thirreshin në vlera të demokracisë dhe ligjit. Sot janë pjesë e makinerisë së korrupsionit”.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/xharra-ne-partine-qe-pret-duar/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala