Vrasja e radhës, protesta kundër policisë në SHBA

Autori:Gazeta Fjala

1475133112olango

Pa u qetësuar ende zemërimi publik për dy vrasjet e fundit të policisë amerikane në Karolinën e Jugut dhe Oklahoma, agjentët amerikanë janë përfshirë në një tjetër incident që ka shkaktuar protesta të shumta në Kaliforni.

Policia e zonës El Cajon në Kaliforninë e Jugut hapi zjarr dhe vrau 38-vjeçarin me ngjyrë Alfred Olango, i cili, siç u mor vesh më pas, ishte i paarmatosur. Mësohet se policia kishte marrë raporte për një person të paqëndrueshëm mendërisht që ecte në mes të trafikut dhe u përball me të në parkingun e një restoranti në zonën El Cajon të San Diegos. Policia amerikane publikoi një foto të incidentit ku shfaqet Olango në një pozicion që të bën të mendosh se po hap zjarr, por në fakt ai ka në dorë një cigare elektronike.

Mediat amerikane thanë se një prej oficerëve të pranishëm hapi zjarr me armën e shërbimit kundër Olangos, ndërsa një tjetër me pistoletën elektrike. Vrajsa e Olangos, i lindur në Uganda, shkaktoi zemërim të madh mes komunitetit të zonës. Shumë njerëz dolën në protesta dhe kërkuan një hetim federal për incidentin. Protestuesit hodhën parrullën e zakonshme “Jetët me ngjyrë kanë rëndësi”, e cila është bërë një slogan i protestave kundër vrasjeve nga policia të anëtarëve të këtij komuniteti.

Prej më shumë se dy vitesh, në SHBA janë regjistruar shumë protesta, shpesh edhe të dhunshme, ndaj policisë për dhunën që agjentët kanë ushtruar ndaj njerëzve kryesisht me ngjyrë. Kjo çështje është bërë temë edhe e fushatës presidenciale, megjithëse incidente të tilla vazhdojnë me një shpeshtësi vërtetë shqetësuese./TCh/

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vrasja-e-radhes-protesta-kunder-policise-ne-shba/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala