Vonesa 40 ditore e kthimit të blloqeve rritë faturat e energjisë

Autori:Gazeta Fjala

kosova a

U bënë gati 40 ditë nga afati që e kishte vënë vetë drejtori i KEK-ut, Arben Gjukaj për rikthimin e blloqeve A4 dhe A5. “Ato do të lëshohen para Vitit të Ri”, kishte siguruar kosovarët disa herë Gjukaj.
Sa më shumë të mungojnë këto blloqe, aq më tepër do të rriten faturat e energjisë elektrike të qytetarëve, pasi njëra prej kostove që njeh Zyra e Rregullatorit të Energjisë, është importi. E KEDS është duke bërë import shtesë.
Pos qytetarëve, nga mosprodhimi i tyre i humbë para edhe shtetit.
Këto dy blloqe së bashku prodhojnë minimum 250 megavatë energji elektrike në orë. Në bazë të kalkulimeve të thjeshta del se mungesa e tyre për 40 ditë i ka sjellur dëme KEK-ut prej së paku 7.2 milionë eurosh. Ky është minimumi, pasi KEK, ia shet KEDS-it energjinë elektrike me 30 euro për megavat.

Në KEK thanë se po e bëjnë këtë pikërisht për të kursyer para. “Me qëllim të ruajtjes së buxhetit shume aktivitete që ndërlidhen me këto remonte janë kryer në mënyrë simultante me ç’rast koordinimi dhe mbikëqyrja e tyre ishte shume sfiduese”, tha Nulleshi për Gazetën Fjala.

Realiteti është i kundërt. Çdo ditë mungesë prodhimi për këto blloqe, nënkupton 180 mijë euro më pak në konto të KEK-ut.

Pos humbjeve marramendëse, kjo kompani vazhdojë edhe të shpenzojë shuma të mëdha duke dështuar. Po bëhen gati 10 ditë që KEK po përpiqet ta lëshojë në punë njësinë A4 të Termocentralit Kosova A, por pa sukses.

Burime të besueshme brenda kësaj kompanie i kanë thënë Gazetës Fjala se kjo kompani deri tash ka harxhuar mbi 100 mijë euro vetëm për naftë. Këtë, as nuk e ka pohuar e as nuk e ka mohuar KEK-u.

“Sipas planit te komisionimit tek njësia A4 është duke u zhvilluar faza e programit të startimit e cila prashihet të zgjasë për disa ditë, konform procedurave standarde të veprimit”, tha për Gazetën Fjala, Edmond Nulleshi, Drejtor i Shërbimeve në KEK.
Ai nuk ka komentuar deklaratat e shefit të tij, Arben Gjukaj, i cili para 10 ditësh në KTV kishte deklaruar se njësia A4 është e gatshme të lëshohet në punë. Ndërkohë, kjo njësi është parë të qet tym të zi ditëve të fundit. KEK nuk është përgjigjur pse nuk po ndizet.
Blloqet A4 dhe A5 janë jashtë funksionit që nga shpërthimi i qershorit të vitit të kaluar, që u kishte kushtuar me jetë 2 personave.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vonesa-40-ditore-e-kthimit-te-blloqeve-rrite-faturat-e-energjise/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala