Vetëvendosja i fut në listë edhe aktivistët e dyshuar për terrorizëm

Autori:Gazeta Fjala

aktivistet vv

“Lista të pastra”, ku nuk do të ketë persona nën hetime apo me të kaluar kriminale, ka qenë porosia e ambasadorit amerikan, Greg Delawie, që u dha gjatë vizitës së tij në KQZ.

Si për ironi, pak minuta pasi Delawie u largua nga KQZ-ja duke e lënë këtë porosi, njëri nga të dyshuarit për sulmin terrorist të 4 gushtit të vitit 2016, ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, njoftoi se bashkë me tre të akuzuarit tjerë në këtë rast do të jenë në garë për deputet.

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, i akuzuar për terrorizëm, bashkë me tre aktivistët tjerë: Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi, do të jenë kandidatë të VV-së në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 qershorit, shkruan Gazeta Express.

“Sapo u njoftova që Lëvizja ka vendosur që unë, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Atdhe Arifi të garojmë për deputetë të saj. I falënderoj të gjithë aktivistët e Vetëvendosjes për solidaritetin e jashtëzakonshëm që kanë treguar këta 9 muaj prej kur jemi nën arrest”, ka njoftuar vetë Krasniqi përmes Facebook-ut.

“Më 11 qershor, ndryshimi do të ndodhë. Ky ndryshim, do t’i hapë rrugët që drejtësia për Astritin të vihet në vend”, shkruan tutje i akuzuari për sulmin terrorit ndaj objektit të Kuvendit.

Ndaj këtyre katër aktivistëve të VV-së, Prokuroria Speciale kishte ngritur aktakuzë për terrorizëm, në dhjetor të vitit që shkoi. Ata ishin arrestuar pa u bërë një muaj nga sulmi i 4 gushtit 2016. Në banesat e disave prej tyre, Policia, gjatë arrestimit, kishte gjetur edhe një arsenal armësh, të cilat më vonë prindërit e aktivistëve i kishin deklaruar në pronësi të tyre.

Lëvizja Vetëvendosje, në listën e tyre garuese për deputetë ka edhe disa nga deputetët e legjislaturës së fundit, të cilët po ashtu janë të ngarkuar me aktakuza për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvend.

Kjo lëvizje, e cila para pak javësh është regjistruar si parti politike, ka kandiduar Albin Kurtin për kryeministër. /GazetaExpress/.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vetevendosja-i-fut-ne-liste-edhe-aktivistet-e-dyshuar-per-terrorizem/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala