Veteranët qe tre muaj pa pensione

Autori:Gazeta Fjala

veteranet

Dhjetëra veteranë kanë protestuar dje para Qeverisë së Kosovës me kërkesën që të miratohet buxheti për pagesën e veteranëve pasi që për tre muaj nuk i kanë marrë pensionet nga shteti.

Ish-ushtarët e UÇK-së që mbajnë statusin e veteranit kanë akuzuar përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, si dhe përfaqësues të shtetit se kanë lejuar rritjen e numrit të veteranëve me persona që nuk kanë qenë të përfshirë asnjëherë në luftën e fundit si pjesëtarë të kësaj ushtrie.

Madje sipas tyre, për t’u futur në listën e veteranëve për person janë dhënë korrupsion deri në tre mijë euro, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Protesta e nisur në orën 11:00 ka përfunduar në orën 14:00, pasi veteranët protestues janë ftuar në një takim me kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe përfaqësues të Kuvendit të Kosovës.

Me gjithë premtimet e Qeverisë veteranët nuk kanë arritur të bëjnë zgjidhje për situatën në të cilën ndodhen.

Valentina Haliti, e cila ka folur në emër të grupit protestues, ka thënë se dhjetëra veteranë bënë vetëvrasje pas luftës për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike me të cilën përballeshin dhe, sipas saj, shumë të tjerë janë në atë gjendje që ta tentojnë vetëvrasjen, shkruan tutje “Zëri“.

Ajo ka thënë se ka marrë mesazhe nga ish-bashkëluftëtarët e saj se nuk mund t’i bashkëngjiten protestës sepse nuk kanë as dy euro që të vijnë në protestën e organizuar në Prishtinë.

“I bëjmë thirrje Qeverisë t’i thërrasin ndërgjegjes sepse veteranët e vërtetë po vetëvriten nga skamja”

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/veteranet-qe-tre-muaj-pa-pensione/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala