Vetëm dy nënkryetare komunash në gjithë Kosovën

Autori:Gazeta Fjala

zubin Potok

Nga 38 komuna sa ka Kosova, 25 nga to i kanë emëruar nënkryetarët, prej tyre vetëm dy janë gra.

Suhareka dhe Zubin Potoku janë dy komunat që postin e nënkryetarit ua kanë besuar grave, raporton KTV.

Megjithatë, shoqëria civile nuk është e kënaqur me këtë përfaqësim, duke thënë që problemi qëndron te partitë politike, pasi ato politikat e brendshme nuk i kanë të orientuara kah barazia gjinore.

Roberta Osmani nga “Demokraci Plus” thotë se duhet të ketë numër më të madh të përfaqësimit të gruas në vendimmarrje, jo pse kjo u garantohet me ligj, porse , sipas saj, gratë e kanë dëshmuar që mund të marrin përgjegjësi si në nivel lokal edhe në atë qendror.

Deputetja nga radhët e PDK’së, Xhevahire Izmaku, e cila para 10 vjetëve ka qenë nënkryetare në Komunën e Vushtrrisë, thotë se përvoja në nivelin lokal është shumë e rëndësishme, sidomos për gratë, por që, sipas saj, te ne ende politika po konsiderohet si një arenë e fuqisë.

Izmaku thotë se ka ende nevojë për trajnim për demokraci të brendshme te partitë politike.

Edhe nga Nisma për Kosovën thonë që nuk janë të kënaqur me përfaqësimin e grave në vendimmarrje.

Në disa komuna, gratë kanë arritur të zgjidhen kryesuese të kuvendeve Komunale sikurse në Ferizaj dhe Skenderaj.

Në mandatin e tashëm të Kuvendit të Kosovës, gratë përfaqësohen me 30 për qind, respektivisht nga gjithsej 120 deputetë, 38 janë gra.

Numër i ulët i grave është edhe në ekzekutiv, ku nga 21 ministri, vetëm dy prej tyre udhëhiqen nga gratë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vetem-dy-nenkryetare-komunash-ne-gjithe-kosoven/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala