Veseli telefonatë me Hoyt Yee: Demarkacioni të procedohet para mocionit

Autori:Gazeta Fjala

Hoyt-Brian-Yee-1

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka zhvilluar një bisedë telefonike me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Brian Yee, me të cilin kanë diskutuar për zhvillimet e fundit politike në Republikën e Kosovës.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetari Veseli ka vlerësuar se ekziston një ngecje në vendimmarrje, ndërsa ka rikonfirmuar kërkesën se duhet të ecet përpara në marrjen e vendimeve të rëndësishme për të ardhmen integruese të vendit.

Sipas njoftimit nga kabineti i kryeparlamentarit, gjatë kësaj bisede telefonike, kryetari Veseli ka diskutuar me diplomatin amerikan për mungesën e vendimeve të rëndësishme të cilat është dashur të merren deri tani në koordinim me miqtë ndërkombëtarë, siç janë ngecjet në reformat ekonomike, ngecjet në riformatimin e qeverisë dhe kryerja e obligimeve ndërkombëtare që ka marrë Kosova si shtet i pavarur e sovran.

Kryetari Veseli ka diskutuar me diplomatin amerikan Hoyt Yee edhe për kërkesën e qartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës që Qeveria dhe Kuvendi të procedojnë me demarkacionin nesër (e mërkure) para mocionit të mosbesimit të qeverisë.

Në rast të mos procedimit të demarkacionit para mocionit ndaj qeverisë, duhet të lëvizet përpara në rrugëzgjidhje tjera.

Në njoftim thuhet se kryetari Veseli e ka siguruar zyrtarin e lartë amerikan se Partia Demokratike e Kosovës është në tërësi në mbështetje të qëndrimeve amerikane dhe do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për ecjen përpara.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/veseli-telefonate-me-hoyt-yee-demarkacioni-te-procedohet-para-mocionit/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala