Veseli kërkon konsensus nacional rreth Gjykatës Speciale

Autori:Zekirja Shabani

kadri veseli

Kuvendi i Kosovës pritet që nga java e ardhshme të procedojë me amandamentet kushtetuese në lidhje me themelimin e Gjykatës Speciale për Krime Lufte.

Me vetë faktin që kërkohen ndryshime kushtetuese, Kuvendit do t’i duhen dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve nga radhët e komuniteteve pakicë për miratimin e këtyre amandamenteve.

Gjykata Speciale u lansua si ide pas raportit të senatorit zviceran Dick Marty të prezantuar në Këshillin e Evropës mbi supozimet e tij për trafikim të organeve të disa civilëve serbë nga disa ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Mbi bazën e këtyre pretendimeve, prokurori amerikan Clint Williamson kishte zhvilluar edhe një hetim të gjerë.

Në përmbyllje të hetimit të tij, një vëmendje të posaçme Williamson ia kishte kushtuar, asaj që ai e kishte quajtur klimë të frikësimit të dëshmitarëve, duke thënë se “ka pasur përpjekje për ta penguar gjithë procesin hetimor” që prej fillimit të punës së grupit hetues, përmes ndërhyrjes te dëshmitarët.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli beson se këto amandamente do të trajtohen nga Kuvendi javën tjetër. Sipas tij, në këtë proces është me rëndësi të ketë konsensus vendor e ndërkombëtar.

“Ajo çka është më kryesore është që të ruhet konsensusi nacional rreth kësaj çështje dhe në të njëjtën kohë të ruhet partneriteti me bashkësinë ndërkombëtare. Amandamentet janë në Komisionin për Legjislacion dhe në momentin që do të marrim dritën jeshile nga ata (Komisioni), ne do të veprojmë”, ka deklaruar Veseli për REL-in.

Themelimi i Gjykatës Speciale po bëhet në vazhdën e thirrjeve të faktorit ndërkombëtar i cili kërkon që Kosova të zbatojë këtë obligim që ka marrë përsipër.

Marrëveshja ishte arritur përmes një letërkëmbimi ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe ish-shefes së diplomacisë evropiane Catherine Ashton në prill të vitit 2014, ku përveç vazhdimit të mandatit të misionit të Bashkimit Evropian për sundim të ligjit – EULEX, ishte aprovuar edhe themelimi i Gjykatës Speciale.

Ky letërkëmbim ishte ratifikuar si marrëveshje ndërkombëtare më pas edhe nga përbërja e kaluar e Kuvendit të Kosovës.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/veseli-kerkon-konsensus-nacional-rreth-gjykates-speciale/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala