Vertongen u akuzua se shkoi me partneren e shokut të ekipit, Eriksen i nxiu syrin në stërvitje

Autori:Gazeta Fjala

Eriksen-852x460

Kristian Eriksen është njeriu që fshihet pas nxirjes së syrit të shokut të skuadrës Jan Vertongen. Megjithatë, nuk mendohet se incidenti mes dy lojtarëve të Totenhemit ka qenë i qëllimshëm pas zërave se mbrojtësi belg ka shkuar me të dashurën e mesfushorit danez.

Eriksen, dy ditë më parë iu drejtua rrjeteve sociale për të përgënjeshtruar lajmin se Vertongen kishte shkuar në shtrat me partneren e tij. Por “The Sun” zbulon se ai e la mbrojtësin me një sy të nxirë pas një incidenti në stërvitje, edhe pse ai mendohet se ka qenë aksidental dhe nuk ka pasur lidhje me këtë histori.

Lajmi që ka qarkulluar orët e fundit në internet, pretendonte se Vertongen, i cili është i martuar, ka fjetur me partneren e Eriksenit, Sabrina Kvist, duke shkaktuar më pas një sherr në dhomën e zhveshjes së Totenhemit, në të cilin ishte përfshirë edhe kapiteni i Anglisë, Herri Kejn.

Një mesazh që qarkullonte “online” thoshte se gjysma e skuadrës së Poçetinos nuk flet me njëritjetrin. Poçetino e kishte të pamundur që ta zgjidhte këtë situatë dhe me shumë gjasë do t’i bashkohet Realit të Madridit në verë, duke marrë me vete Eriksenin në skadencë kontrate dhe mundësisht edhe Herri Kejnin, pretendonte i njëjti lajm.

Por si Eriksen, ashtu edhe Vertongen i quajtën të rreme këto histori, duke i cilësuar në rrjetet sociale si “gjepura”. Vertongen iu përgjigj postimit të shokut të tij me një seri emojish, përfshirë edhe një zemër për Eriksenin. “Ishte një situatë shumë e vështirë për të dy futbollistët”, tregon një burim pranë tyre për “The Sun”.

“Ata kanë qenë të vetëdijshëm për zërat në internet në lidhje me një tradhti të mundshme. Ironia është se syrin e nxirë të Vertongenit pak kohë më parë ia kishte shkaktuar Kristian Erikseni”. Skuadra e Totenhemit është në mes të një krize rezultatesh, e cila arriti kulmin pas disfatës turpëruese në Champions kundër Bajernit, 7-2.

Poçetino është në momentin më të vështirë të karrierës së tij në stolin e “Spërsave”, por për momentin ka marrë besimin e klubit për ta nxjerrë skuadrën nga kjo gjendje. Kthesa duhet të nisë që këtë të shtunë kundër Brajtonit në Premier Ligë.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vertongen-u-akuzua-se-shkoi-me-partneren-e-shokut-te-ekipit-eriksen-i-nxiu-syrin-ne-stervitje/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala