Vendet që shpenzojnë më shumë për ushqime

Autori:Gazeta Fjala

market

Në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë rreth 49% të buxhetit për ushqime, ndërsa në vendet e tjera të rajonit, kjo peshë luhatet në 33-37% (Kosova 43%), duke bërë që vendi ynë, për fatin e keq të qytetarëve të saj, të krahasohet vetëm me shtetet afrikane, si Kenia, Nigeria, Kameruni…

Amerikanët shpenzojnë vetëm 6.4% të të ardhurave të tyre për ushqim, sipas shifrave më të fundit të publikuara nga Departamenti i Shteteve të Bashkuara për Agrikulturën. Në përgjithësi, sa më i zhvilluar të jetë një vend, aq më e vogël është përqindja e të ardhurave që shpenzon për ushqim, siç tregon dhe harta e publikuar nga Forumi Ekonomik Botëror.

Vendet që shpenzojnë më pak

Janë vetëm dhjetë vende në botë që shpenzojnë më pak se 10% e të ardhurave të tyre për ushqim, katër prej të cilave janë në Europë; Mbretëria e Bashkuar është e treta me 8.2% e të ardhurave mujore, e ndjekur nga Zvicra me 8.7%, Irlanda shpenzon vetëm 9.6% dhe Austria 9.9%.

Katër vendet e tjera ndodhen në pjesën tjetër të botës. Amerikanët shpenzojnë të paktën 6.4%, Singapori është i dyti në listë për sa i përket shpenzimeve më të ulëta për ushqim krahasuar me të ardhurat në total, 6.7%.  Kanadezët shpenzojnë rreth 9.1% të të ardhurave në ushqim, ndërsa australianët shpenzojnë 9.8%.

Vendet që shpenzojnë më shumë në botë 

Nigeria shpenzon më shumë se gjysmën e të ardhurave për ushqim, dhe janë nëntë vende të tjera që shpenzojnë më shumë se 40% të të ardhurave për ushqim.

Katër prej të cilave janë në Afrikë, Nigeria 56.4%, Kenia 46.7%, Kameruni 45.6%, dhe Algjeria 42,5%. Katër të tjera janë në Azi, Kazakistani 43%, Filipinet 41.9%, Pakistani 40.9% dhe Azerbajxhani 40.1%. Guatemala është i vetmi vend në Amerikën e Jugut  që ndodhet në listën dhe familjet shpenzojnë rreth 40.6% të të ardhurave për ushqime.

Shifrat nuk tregojnë se ushqimi është më i shtrenjtë në Nigeri se sa në SHBA. Në fakt, është e kundërta. Një amerikan mesatarisht shpenzon rreth 2,392 dollarë në vit për ushqim, një nigerian mesatarisht shpenzon gjysmën, 1,132 dollarë. Një banor i Kenias shpenzon 543 dollarë në vit për ushqim.

Megjithatë, mund të ketë diferenca të mëdha brenda vetë shteti.

Në 25 vitet e kaluara, rreth 20% e familjeve në Shtetet e Bashkuara shpenzojnë nga 28.8% në 42.6% në ushqim, krahasuar me normën 6.5-9.2% të shpenzuar nga familjet e pasura.

Shqipëria, më keq në rajon, krahasohet vetëm me Afrikën

Në raportin e Forumit Ekonomik Global mungojnë të dhënat për Shqipërinë dhe rajonin, por të dhënat përkatëse nga anketat e buxhetit të familjeve japin një panoramë se sa përqind të buxhetit shpenzojnë për ushqime familjet e rajonit.

Sipas INSTAT, në Shqipëri, familjet shqiptare shpenzojnë 48.7% të buxhetit për ushqime, një përqindje e krahasueshme vetëm me vendet e Afrikës. Sipas Anketës së Fundit të Buxhetit të Familjeve, familjet shqiptare rritën më 2015 shpenzimet për konsumin e ushqimeve me 4,4 pikë përqindje në krahasim me 2014-n. Tendenca për të ulur shpenzimet e tjera dhe fokusi drejt ushqimeve është treguesi më i qartë se familjet shqiptare po varfërohen dhe shqetësimi kryesor i tyre është sigurimi i nevojave bazë të jetesës. Ky është një kthim mbrapa, teksa në dekadën e fundit, pesha e shpenzimeve për ushqime kishte ardhur veçse në ulje.

Edhe në krahasim me vendet e rajonit, Shqipëria e ka këtë peshë dukshëm më të lartë.

Sipas Zyrës Statistikore Shtetërore të Maqedonisë, familjet maqedonase shpenzojnë mesatarisht 33.7% të buxhetit për ushqime.

Në Mal të Zi, sipas Monstat, kjo peshë është 34.6%; në Bosnjë Hercegovinë është rreth 34%.

Familjet serbe, sipas zyrës kombëtare të statistikave shpenzojnë 37.7% të buxhetit për ushqime.

Më e lartë është kjo peshë për Kosovën, në 43%, sipas të dhënave zyrtare nga Agjencia e Statistikave.

Në vendet e BE-së, sipas të dhënave historike të Eurostat, pesha e shpenzimeve për ushqime ka mbetur në rreth 12%, që nga viti 2005, kur raportohen të dhënat.

Teksa vendi vijon të jetë një importues i madh neto i ushqimeve, në supermarketet shqiptare ndodh rëndon të gjesh produkte që janë edhe më të shtrenjta se supermarketet në Itali psh, ndërsa të ardhurat e familjeve shqiptare janë disa herë më të ulëta se ato italiane. /Monitor

rajoni-vendet-qe-shpenzojne-me-shume-ne-bote-1024x395

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vendet-qe-shpenzojne-me-shume-per-ushqime/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala