Vdekjet në QKUK: Lirohet në dorëzani pronari i kompanisë që prodhoi pa licencë gazin oksidul

Autori:Gazeta Fjala

qkuk11111_1513091469-3856963

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka liruar nga paraburgimi pronarin e kompanisë “Bubeari Komerce”, Naser Gurin i cili prej më shumë se dy muajsh gjendej në paraburgim si i dyshuar për prodhim pa licencë të gazit oksidul N20 me të cilin furnizohej QKUK’ja, e që dyshohet se ka qenë shkaktari i vdekjes e tre pacientëve.

Pronari i kompanisë ‘Bubeari KOMERCE’ më seli në Kaçanik, Naser Guri, është liruar nga ana e Gjykatës Themelore të Prishtinës, pas më shumë se dy muajve paraburgim. Ai dyshohet për prodhim pa licencë të gazit oksidul (N20), me të cilin furnizohej QKUK’ja, e si pasojë e të cilit dyshohet se tre pacientë të QKUK’së gjatë shtatorit të kaluar kanë ndërruar jetë.

Guri është liruar në dorëzani, si dhe ka deponuar në xhirollogarinë e Gjykatës Themelore në Prishtinë 30 mijë euro, para këto të cilat ia kanë mundësuar atij të gjykohet në liri.

Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express mbrojtësi i Naser Gurit, avokati Bajram Tmava.

“Po, Naseri është liruar nga paraburgimi. Për t’u siguruar prezenca e tij në procedurën penale, është deponuar dorëzania prej 30 mijë eurosh dhe tani klienti është i lirë”, ka thënë Tmava për Express.

Avokati është shprehur se rezultatet e Autopsisë së Mjekësisë Ligjore në Prishtinë nuk kanë vërtetuar se vdekjet e tre pacientëve në QKUK gjatë muajit shtator kanë ardhur si pasojë e gazit oksidul N20, gaz ky me të cilin e furnizonte kompania e Gurit në QKUK-në.

“Sa i përket autopsisë nga Mjekësia Ligjore në Prishtinë, ajo nuk e ka vërtetuar që vdekjet janë pasojë e gazit. Prandaj është kërkuar që analizat e gjakut të dërgohen jashtë vendit”, ka thënë Tmava.

Kompania e Gurit në Kaçanik, “Bubeari Komerc”, prodhonte pa licencë gazin oksidul, i cili deri më tani dyshohet të jetë shkaku i vdekjes së tre pacientëve. Prokuroria ka marrë disa mostra të këtij gazi nga QKUK-ja për t’i kryer analizat, por deri më tani nuk ka pasur ndonjë rezultat.

Po ashtu, janë duke u zvarritur edhe analizat e obduksionit të tre trupave të pacientëve të vdekur.

Nga QKUK-ja dhe të gjitha spitalet regjionale në Kosovë, është hequr nga përdorimi gazi oksidul, i prodhuar nga kompania ‘Bubeari’. Tenderin për furnizim me këtë lloj gazi e ka fituar kompania ‘’Medica”,  e cila e ka selinë në Prishtinë.

 

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/vdekjet-ne-qkuk-lirohet-ne-dorezani-pronari-i-kompanise-qe-prodhoi-pa-licence-gazin-oksidul/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala