Valon dhe Hashim Aliu nga Gjilani, janë dy vëllezërit që u vranë në Siri

Autori:Zekirja Shabani

siri

 Valon dhe Hashim Aliu nga Zhegra e Gjilanit, janë dy vëllezërit nga Kosova që u vranë së fundmi në luftimet në Siri. Familjarët e tyre konfirmojnë lajmin për Gazetën Express, por thonë se nuk do të hapin të pame.

23 vjeçari Valon Aliu dhe vëllai i tij Hashim Aliu 27 vjeç nga fshati Zhegër i komunës së Gjilanit janë dy kosovarët e fundit të vrarë në luftimet në Siri.

“Po, para një jave na ka ardhur lajmi se ata janë vrarë atje”, ka thënë shkurt për Gazetën Express nëna e dy të vrarëve.

Rrugëtimi i parë i tyre për në Siri kishte ndodhur para 10 muajsh. Ata u larguan nga shtëpia e tyre pa lajmëruar askënd se ku po shkojnë.

“Në Janar të këtij viti kanë dalë prej shtëpisë, pa na treguar se ku po shkojnë. Për tre muaj rresht ne nuk kemi ditur asgjë për ta. Pas tre muajve janë lajmëruar, na kanë thënë se janë mirë”, thotë nëna e tyre.

Oborri i shtëpisë së familjes Aliu ishte i zbrazët, pavarësisht humbjes së dy pjesëtarëve të saj. Familja nuk e ka parë të arsyeshme të hap të pame për djemtë e rënë në Siri. Ata këtë e arsyetojnë me mos pranimin e kufomave të tyre.

“Krejt e dinë që ata janë vrarë, ata që dëshirojnë të vinë më pa, munden lirisht, por ne nuk e shohim të nevojshme me hap të pame, pasi nuk i kemi kufomat e tyre, ata janë varrosur atje. Për neve jeta vazhdon”, kanë thënë për Gazetën Express motrat e tij.

Në faqet e tyre në rrjetin social Facebook, dy vëllezërit Hashim dhe Valon Aliu – i cili kishte pseudonimin Abdul Malik Ibn Halil, kanë ndalur së postuari, pikërisht në muajin Janar, kur edhe janë nisur për Siri.

Dy vëllezërit Aliu nuk janë kosovarët e vetëm të vrarë në vatrat e luftës në Siri brenda këtij muaji. Gazeta Express ditë më parë pati raportuar për vrasjen e Basri Sylejmanit nga Prishtina, i cili ishte vrarë gjatë një sulmi atje.

Tre të vrarët e fundit çojnë numrin e kosovarëve të vrarë në Siri në gjithsej 50, ndërkohë që qindra të tjerë vazhdojnë të luftojnë atje.

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/valon-dhe-hashim-aliu-ngagjilani-jane-dy-vellezerit-qe-u-vrane-ne-siri/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala