UNMIK-u: Zyrtarët tonë në Veri po e kryenin punën e tyre, nuk mund të ndalohen e as të shpallen non grata

Autori:Gazeta Fjala

UNMIK-A1-600x360

Pas kërkesës së kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinajt, Ministria e Punëve të Jashtme ka marrë vendim që të shpallë person non-grata shtetasin rus, Mikhail Aleksandrovich Krasnoschenkov, i cili u arrestua gjatë aksionit të Policisë së Kosovës në veri të vendit.

Krasnechenkov u arrestua nën dyshimet se me makinën e tij zyrtare të misionit të UNMIK-ut, po pengonte aksionin e Policisë së Kosovës, duke u barrikaduar në rrugë.

Zëdhënësi i UNMIK-ut në Kosovë, Sanam Dolatshahi, në një përgjigje për Gazetën Express, ka thënë se “non-grata nuk mund të shpallet një person i cili punon nën petkun e Kombeve të Bashkuara, pasi që personeli i UNMIK-ut, punon nën përgjegjësinë e Sekretarit të Përgjithshëm”.

Përveç kësaj në përgjigjen dhënë Gazetës Express nga zyra e UNMIK-ut në Kosovë, thuhet që Krasnoschenkov  ka qenë duke e kryer punën e tij në pajtueshmëri me mandatin e UNMIK-ut, gjatë momentit të ndalimit nga Policia.

“Ne dimë se stafi i UNMIK-ut ka qenë duke i kryer përgjegjësitë e tyre për monitorim dhe raportim të situatës, në pajtueshmëri me mandatin e UNMIK-ut”, thuhet në përgjigje.

Ndërkohë potencojnë se rrethanat e ndalimit të dy zyrtarëve të UNMIK-ut, janë duke u qartësuar.

“Derisa po kryenin detyrat e tyre për të monitoruar dhe raportuar në pajtim me mandatin e Misionit, për një situatë që po zhvillohej, dy pjesëtarë të UNMIK-ut, u arrestuan në Veri të Kosovës në mes të një operacioni policor të kryer në mëngjesin e hershëm të 28 majit, kundër rrjeteve të dyshuara të krimit të organizuar dhe dyshimeve të abuzimit të autoritetit zyrtar. Dy anëtarët e stafit, një ndërkombëtar dhe një i rekrutuar vendor, pësuan lëndime gjatë arrestimit dhe kërkuar hospitalizim. Detajet lidhur me këtë incident janë ende në sqarim e sipër”,  thekson përgjigja.

Por pse kishte udhëtuar drejt Beogradit, zyrtari rus i UNMIK-ut.  Në një përgjigje për Gazetën Express nga Zyra e UNMIK-ut në Kosovë, thonë se pasi kishte marrë trajtimin në Spitalin e Mitrovicës së Veriut, mjekët kishin konstatuar se me lëndimet e marra, ai do të duhej që të merrte trajtim të specializuar, prandaj është dërguar për në Beograd

“Anëtari i stafit të UNMIK-ut, i rekrutuar ndërkombëtarisht, është liruar me 28 maj. Bazuar në vlerësimin e plotë të ekspertëve mjekësorë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut dhe ekipit mjekësor të UNMIK-ut, u konsideruar si e domosdoshme që anëtari ynë i personelit të transferohej në një spital që mund ti ofronte trajtim special, në përputhje me dëmtimet që kishte marrë. Ai u transferuar në një institucion mjekësor në Beograd, në Serbi m 30 maj, ku dhe u ribashkua me familjen e tij”, thuhet në përgjigje.

Sa i përket kërkesës për heqje të imunitetit për zyrtarin rus, Mikhail Krasnoschenkov, nga zyra e UNMIK-ut thonë që  në momentin që do të marrin një kërkesë të tillë nga autoritetet kosovare, do ta përcjellin në Zyrën Qendrore të Kombeve të Bashkuara.

“Çdo kërkesë zyrtare për heqjen e imunitetit do të përcillet nga UNMIK-u në Shtabin e Kombeve të Bashkuara. Këto kërkesa do të konsiderohen në përputhje me procedurat e përcaktuara të Kombeve të Bashkuara, në përputhje me ligjet dhe rregulloret në fuqi. Rregullorja e UNMIK-ut nr. 2000/47 Pjesa 6.1 parashtron konsideratat përkatëse”, thekson përgjigja.

Në përgjigjen për Gazetën Express, UNMIK sqaron se të gjithë zyrtarët e misionit kanë imunitet, dhe nuk mund të ndalohen apo të përballen me ndonjë proces ligjor, pa miratimin e OKB-së.

“Në përputhje me ligjin ndërkombëtar dhe ligjin e aplikueshëm në Kosovë, të gjithë personeli i UNMIK-ut, i rekrutuar në nivel lokal ose ndërkombëtar, ka imunitet nga procesi ligjor,  për deklarimet e bëra apo veprat e kryera  në cilësinë e tyre zyrtare. Ata nuk mund të ndalohen, ose të përballen me ndonjë proces ligjor, qoftë nga autoritetet administrative, ekzekutive apo gjyqësore, pa miratimin e Kombeve të Bashkuara”, sqarohet në përgjigje.

Në fund thonë se UNMIK-u  mbështet Kosovën në luftimin e  krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke potencuar situatën e ndjeshme politike në vend.

“Kreu i UN-it në Kosovë, Zahir Tanin kërkon nga të gjitha palët që të respektojnë dinjitetin njerëzor, në mënyrë që të vendoset qetësi dhe siguri e qëndrueshme në rajon”, përfundon përgjigja dhënë Gazetës Express.

Sa i përket zyrtarit rus të arrestuar, kryeministri Haradinaj, ka thënë se ai është “një agjent rus i kamufluar nën petkun e UNMIK-t”.

E numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se Aleksandrovich Krasnoschenkov, ka shërbyer në ushtrinë ruse, dhe në shërbimin sekret rus (GRU)

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/unmik-u-zyrtaret-tone-ne-veri-po-e-kryenin-punen-e-tyre-nuk-mund-te-ndalohen-e-as-te-shpallen-non-grata/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala