Trusti reagon për ish-Guvernatorin

Autori:Gazeta Fjala

Trusti_i_Kursimeve_Pensionale

Pas publikimit të pjesës së tretë të intervistës me ish-Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës, Fondi i Kursimeve Pensionale ka nisur një letër të gjatë në adresë të Gazetës Fjala me mospajtime lidhur me deklaratat e Rexhepit.

Gazeta Fjala, duke qëndruar prapa të gjitha të dhënave të publikuara në tri botime radhazi, për hirë të korrektësisë publikon të plotë reagimin e FKPK-së.

Reagimi i FKPK-së:

Në lidhje me ripublikimin dhe citimin e FKPK-së në artikullin e sotëm sqarojmë si më poshtë:

– Investimi i parë në fondin e ABN AMRO (më vonë Fortis) ka ndodhur në mars 2003 dhe vlera e investimit ka qenë rreth 33 milionë euro dhe me investime të vazhdueshme pas kësaj. Që i bie që ky aset menaxher është përzgjedhur 7 vjet më herët sesa pretendohet nga ish-Guvernatori Rexhepi. Ish-Guvernatori po ashtu, për habinë më të madhe, nuk jep asnjë periudhë (qoftë edhe vit) për takimet, vendimet apo “dyshimet” që ka!

– Ky fond (fillimisht ABN AMRO, më pas Fortis e që nga 2008 BNP Paribas) gjatë gjithë historikut të investimeve të FKPK-së ka qenë me rejting AAA (më të lartin të mundshmin) dhe me kthim pozitiv, duke përfshirë edhe kohën e krizës financiare (2008). Fondi “Fortis  Global LiquidityFunds” është fond i ndarë nga Fortis bank dhe si i tillë është në pronësi të investitorëve e jo bankës, dhe në tetor të vitit 2009 kishte nën menaxhim rreth 1.7 miliardë euro mjete. Kjo edhe dëshmon faktin se fondi investues nuk ka qenë në krizë dhe për shkak të stabilitetit ka vazhduar të mbajë rejtingun AAA.  Po e ritheksojmë së Fondi Fortis që nga viti 2008 ishte pjesë e BNP Paribas dhe jo sikurse aludohet në artikull së kinse ndryshimi kishte ndodhur pas apo gjatë investimit të FKPK-së. Po ashtu po e theksojmë se bashkimet, blerjet por edhe ndarjet e fondeve/ kompanive multinacionale janë procese normale në ekonominë e tregut dhe janë të rregulluara në mënyrë shumë rigoroze me legjislacionet nacionale edhe ndërkombëtare.

– Fondi në fjalë për FKPK-në ka pasur kthim pozitiv kumulativ në investime bruto prej 5.3 milionë euro, duke përfshirë edhe periudhën e krizës financiare 2007-2009. Pra çdo aludim tjetër është i pa argumentuar, tendencioz dhe nuk e pasqyron gjendjen reale.

– Arsyeja përse ka pasur dallim të madh të investimeve në këtë fond në 2009 dhe 2010 qëndron në faktin se FKPK-ja nuk ka pasur Bord prej shtatorit 2008 e deri në prill 2009, dhe gjatë gjithë kohës FKPK-ja nuk ka mundur të bëjë asnjë investim, dhe si rrjedhim mjetet e kontributeve të reja janë akumuluar në BQK.

– Bordi Drejtues i sapoemëruar, duke pasur parasysh alokimin shumë të madh të mjeteve, dhe kamatat e ulëta që ofroheshin nga mbajtja e mjeteve të painvestuara në BQK, në bazë të kompetencave të veta ligjore, kishte vendosur që një pjesë të këtyre mjeteve të plasohen në Fortis Global Liquidity Funds. Arsyeja e këtij investimi qëndron se kthimi në investim nga ky fond ishte katër herë më i madh në krahasim me atë që ishte në BQK. Njëherësh rejtingu i Fortisit (BNP Paribas) vazhdonte të ishte AAA (më i larti i mundshëm).

– Bordi Drejtues, pas marrjes së këtij vendimi, në janar 2010, të nesërmen, por edhe pas të gjitha mbledhjeve të tjera, ka takuar ish-Guvernatorin e BQK-së dhe stafin e tij, dhe të njëjtit i ka informuar për të gjitha vendimet e Bordit Drejtues. Z. Rexhepi, por as stafi i tij që mbikëqyrë FKPK-në drejtpërdrejt, asnjëherë nuk e kanë ngritur asnjë shqetësim apo mëdyshje në lidhje me vendimet e Bordit, përfshirë edhe investimin në fjalë. FKPK-ja kurrë nuk ka marrë asnjë letër ose shkresë nga BQK-ja që ndërlidhet me vendimin për këtë investim.

– Dyshimi i ngritur në artikull se investimi në fondin e Fortis (BNP Paribas) nuk është në përputhje me ligjin është joprofesional dhe tejet qëllimkeq. Fakti që fondi i lartpërmendur ka pasur rejting maksimal AAA dhe kthim më të madh në investim i plotëson të gjitha kërkesat ligjore. Ndërsa parimet ligjore të përmendura duhet të  zbatohen sa i përket mjeteve të FKPK-së në tërësi dhe ketë gjë FKPK e ka bërë dhe vazhdon ta bëjë gjithnjë në mënyrën me të mirë.

FKPK që nga themelimi ka përzgjedhur dhe larguar aset-menaxherë në varësi të strategjisë së investimeve dhe performancës së treguar nga ta. Në përgjithësi, strategjia investuese dhe përzgjedhja e aset-menaxherëve ka rezultuar tejet pozitive. Që nga themelimi FKPK-ja ka realizuar kthim pozitiv në investime në vlerë prej mbi 300 milionë euro, dhe gjithashtu ka rikuperuar qysh më 2011 edhe rënien që kishte shkaktuar kriza globale financiare e vitit 2008.

–  FKPK shpreh shqetësimin për tendencën që të dëmtohet imazhi i këtij institucioni si dhe shkaktohet huti dhe pasiguri tek qytetarët nga i ish-Guvernatori i cili ka pasur përgjegjësi ligjore ta mbikëqyrë FKPK-në. FKPK-ja vlerëson së përfshirja e këtij institucioni në problemet dhe mosmarrëveshjet personale është jo korrekte dhe jo profesionale. FKPK-ja, e rithekson, se që nga themelimi dhe deri me tani ka ushtruar dhe vazhdon të ushtrojë përgjegjësinë e vet në përputhje me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të pavarur dhe pa asnjë ndikim nga jashtë.

-FKPK-ja mbetet e gatshme dhe  e hapur që t’i ofrojë qasje të plotë kujtdo që i intereson për gjithë procesin e lartpërmendur por edhe procese të tjera. Vendimmarrja i ka takuar vetëm Bordit Drejtues, si tërësi, e jo individëve të caktuar ose ndikimeve të tjera. FKPK-ja, gjithashtu, kërkon që edhe të tjerët të mbajnë përgjegjësi për deklarimet e tyre dhe ato t’i bazojnë në fakte.

-FKPK mbetet e pëkushtuar që në punën e vet të ketë për bazë vetëm interesin e kontribuueseve në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe njëherësh siguron kontribuuesit së pretendimet e publikuara janë krejtësisht të pavërteta, dhe si të tilla nuk qëndrojnë.

Zyra për informim e FKPK-së

Vërejtje:

Ju keni të drejtë ta riprodhoni tekstin tonë, por me kusht që ta citoni burimin e Gazeta Fjala dhe kur ta publikoni shkrimin, ta integroni linkun e artikullit siç vijon: http://gazetafjala.com/trusti-reagon-per-ish-guvernatorin/

Në të kundërtën, ne do të raportojmë tek organet kompetente si dhe pranë Facebook për shkelje të të drejtës autoriale, gjë që sanksionohet nga Facebook dhe mund të ketë pasoja të rënda për faqen tuaj Facebook. Ju faleminderit për vëmendjen si dhe bashkëpunimin.

Redaksia e Gazetës Fjala